Kryemadhi thirrje PD për të
ndalur Ramën

Kryemadhi thirrje PD për të<br />ndalur Ramën
Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, ka përshkallëzuar sulmet në adresë të kryeministrit Edi Rama pas publikimit të ‘listës së zezë’ me 100 zyrtarë të denoncuar nga qytetarët për praktika abuzive në zyrat e shtetit.

Zonja Kryemadhi ka artikuluar një tjetër mesazh të koduar në adresë të Partisë Demokratike, duke e ftuar për t’u bashkuar në një front opozitar, për të ndaluar kryeministrin Edi Rama, të cilit shqiptarët sapo i kanë besuar qeverisjen e vendit edhe për katër vite të tjera. Që nga dita e zgjedhjes në krye të LSI, kjo është thirrja e dytë e Kryemadhit në adresë të PD.

Ndërkaq, Partia Demokratike nuk ka dhënë asnjë sinjal për një bashkëpunim të mundshëm me LSI.

 “Ndaj të gjithë së bashku duhet ta ndalojmë këtë delirant që nuk njeh më kufizime. Sot më shumë se kurrë opozita duhet të jetë e fortë dhe e bashkuar për t’i treguar këtij kryeministri në delir se pushteti i pakufizuar dhe arroganca janë te papranueshme në demokraci, qoftë edhe në një demokraci të brishtë si e jona. Të gjithë së bashku duhet ta ndalojmë këtë revansh që u ble në 25 qershor me lekët e krimit dhe drogës. LSI do të vijojë çdo ditë dhe pa kompromis betejën e saj kundër instalimit të pushtetit mafioz. Të gjithë së bashku do t’i japim përgjigjen që meriton arrogancës së pushtetit të blerë me paratë e krimit dhe drogës. E drejta e votës do të jete synimi ynë. Askush nuk na ndal në këtë rrugë drejt lirisë që çdo shqiptar ka për të vendosur të ardhmen e tij dhe te fëmijëve të tij”, tha Kryemadhi.  

Akuzat
Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi e ka krahasuar listën e kryeministrit me fletërrufetë e komunizmit.

“Nuk ka më qesharake se të lexosh çfarë kryeministri shkruan pas mesnate, duke u munduar të justifikojë publikimin e një "liste të zezë", të ngjashme me fletërrufetë e komunizmit. Sado të përpiqet me arrogancë dhe paralajmërime, Edi Rama nuk e shmang dot paturpësinë e tij dhe të oborrtarëve të tij që shkelën çdo të drejtë njerëzore dhe publike duke linçuar, jo vetëm punonjës të administratës, por edhe prokurorë e gjykatës, që nuk janë aspak kompetencë e kreut të qeverisë. Por deliri i pushtetit nuk njeh më kufij. Sundimi i pakicës, që vodhi zgjedhjet e qershorit, po jep shenjat e para. Karafili i qeverisë nuk sheh më përtej oborrit të tij, krimit dhe drogës, bashkëpunëtorëve të vjedhjes së votës dhe oligarkëve. Pushteti pa kufij që ata i dhanë me tjetërsimin e votës e bën atë të mendojë dhe veprojë si një diktator, duke harruar që ky popull ka memorie dhe nuk i toleron akte të tilla paturpësie”, shkruan Kryemadhi.

Vasili i përgjigjet ashpër Ramës
 
Kryetari i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili i është përgjigjur ashpër Kryeministrit Edi Rama, në lidhje me listën me 100 emra të punonjësve të administratës që kanë kryer shkelje. Pak minuta pasi Rama postoi një shkrim në Facebook të titulluar “Për lulet mos më prek”, ka reaguar dhe Vasili, i cili nëpërmjet një statusi në Facebook i thotë kryeministrit se është shumë i lodhur, se është damlla i tëri dhe i kërkon të bëjë ndonjë gram punë. “Shumë i lodhur ky kryeministri ynë, damlla i tëri, vetëm me llogje pazari e me fletë rrufe do e kalojë jetën ky, jo e tha jo s'e tha, bëj një gramë punë or kryeministër, se edhe ata që shpikën fletë-rrufetë në fakt bënin hekurudha dhe elektrifikonin vendin, thanin këneta etj. etj., kurse ky kuje kryeministër ecën nga asgjëja drejt hiçgjësë”, shkruan Vasili. 

Redaksia Online
e.m/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ku po i kaloni pushimet e verës?



×

Lajmi i fundit

Paris 2024/ Shpërthen viroza, dy gara olimpike në rrezik

Paris 2024/ Shpërthen viroza, dy gara olimpike në rrezik