Kryeministër dhe kryeshërbëto

Kryeministër dhe kryeshërbëto



 Fjalimi i plote i EDI RAMES: Kryeministër dhe kryeshërbëtor

"Detyra do të jetë imja, pushteti juaj. Nuk do ta harroj këtë, por ju lutem mos e harroni as ju. Jo për mua, por për të mirën e Shqipërisë, që duhet të rilindim së bashku", u shpreh në fund të fjalës së tij, Edi Rama. Ai ka theksuar edhe që "ndryshimi nuk vjen brenda natës, as kollaj, por duhet të sakrifikojmë fort". Akuza për pasionin e tij për karrigen, Rama u është përgjigjur: "Unë e dua këtë vend, ndaj luftova kaq fort. Por ky është vetëm fillimi, tani duhet t'ia nisim nga puna të gjithë bashkë për Rilindjen".

Rama ka siguruar rrogtarët e administratës dhe mediat e djathta, se nuk duhet të ndihen të kërcënuar, pasi duhet t'i jepet fund ndasisë. Rama ka falenderuar edhe Berishën për "çdo të mirë që ka bërë për këtë vend dhe i ka uruar çdo të mirë".

Rama nuk harroi të përmendë edhe vizionin  e tij strategjik për Kosovën: "Të vazhdojmë së bashku si një vend dhe si një komb përpjekjen drejt vendit, që na takon në familjen e bashkuar të Europës sot kur si asnjëherë shqiptarët e Shqipërisë dhe Kosovës jo vetëm e meritojnë, por e kanë në duart e tyre ëndrrën e bashkimit të plotë në atë familje të madhe".

PËRGJEGJËSIA PËR TË UDHËHEQUR VENDIN, NGA MË TË MËDHATË
"Ka fare pak përgjegjësi të tjera më të mëdha për një njeri, se sa përgjegjësia për të udhëhequr vendin tënd. Sot ju populli i Shqipërisë vendosët të ma ngarkonit mua dhe skuadrës tonë të Rilindjes së bashku me partnerët tanë strategjikë të LSI këtë përgjegjësi kaq të madhe. Ne e pranojmë përgjegjësinë me ndjenjën më të thellë të përuljes ndaj secilit prej jush dhe për çdo ditë nga sot e tutje ne do të jemi me ju dhe për ju deri kur kjo përgjegjeësi madhore të jetë e jona", u shpreh Rama.

NUK DO HARROJ QË JU NA VUTË NË KRYE TË VENDIT
"Unë e di që, siç thotë Linkolni, asnjë qeveri në botë s’mund të kënaqë çdo njeri dhe për gjithë  kohën, por për gjithë kohën unë s’do harroj që jeni ju të gjithë që nga brenda apo jashtë vendit, që na vutë në krye të vendit. Ju na besuat, sepse ne nxorëm më të mirën nga vetja për të arritur deri këtu. Me një projekt ndryshimi, me një program të ri për të rilindur Shqipërinë, skuadër të re, një aleancë të re për Shqpërinë europiane, e cila provoi botërisht se ne për të mirën e vendit dimë ta vëmë veten mbi veten dhe mbi partitë", vijoi Rama.

UNË E DUA KËTË VEND, NDAJ LUFTOVA KAQ FORT, ZEMRA IME E DI Ç'MUNDËSI KA KY VEND
"Unë e dua këtë vend dhe ndaj luftova kaq fort për të fituar dhe zemra ime e di se çfarë mundësish të pafundme ka ky vend për të rilindur. Këto mundësi të pafundme duhet t’i nxjerrim nga çdo thellësi e mendjes dhe mendjes shqiptare, për të bërë më të mirën me mundësinë që na u dha për të udhëhequr Shqipërinë. Ne do të udhëheqim. Por as unë, as udhëheqësit për të drejtuar së bashku s’mund ta sjellim të vetëm Rilindje. Dua që ju, njerëzit e këtij vendi të bëheni pjesë e skuadrës sonë të Rilindjes", ftoi Rama gjithë shqiptarët.

TË RIMËKËMBIM EKONOMINË, ARSIMIN, SHËNDETËSINË, TALENTET, PËR AMANETIN E TË PARËVE
"T’i ndajmë së bashku aspiratat, sfidat dhe përpjekjet për një ekonomi të rimëkëmbur përmes taksimit të ndershëm, një shoqëri të përtëritur me arsim, shëndetësi sipas nevojës dhe jo sipas xhepit, një demokraci pavarësisht përkatësive partiake dhe krahinore.

Pa harruar asnjë çast se sot populli sovran ngjyrosi me ngjyrën e purpurt gjithë hartën e Shqipërisë nga Shkodra deri në Vlorë për të na dhënë mundësinë historike, për ta provuar me vepra se mund ta ndajmë përgjithmonë këtë vend nga ndasitë e shkuara të deridjeshme.

Të nisim bashkarisht punën, për t’i treguar njëri-tjetrit dhe botës jashtë nesh, se kemi talentin, vendosmërinë për t’u ngritur në lartësinë e amanetit të të parëve të këtij vendi dhe të borxhit që u kemi gjithë fëmijëve të Shqipërisë. Pa harruar se duhet të jetë liria rruga për të udhëhequr, merita dhe jo mungesa e saj, respekti ndaj ligjit dhe jo mungesa e tij'.

TË VAZHDOJMË SI NJË VEND DHE SI NJË KOMB BASHKË ME KOSOVËN DREJT BE-SË
"Të vazhdojmë së bashku si një vend dhe si një komb përpjekjen drejt vendit, që na takon në familjen e bashkuar të Europës sot kur si asnjëherë shqiptarët e Shqipërisë dhe Kosovës jo vetëm e meritojnë, por e kanë në duart e tyre ëndrrën e bashkimit të plotë në atë familje të madhe".

KA QENË ËNDËRR E GJATË, BASHKË TA BËJMË REALITET ME SHPIRT DIALOGU, JO PËRJASHTIMI
"Ka qenë një ëndërr e gjatë. Së bashku duhet ta bëjmë realitet. Pa harruar se duhet të jetë gjithëpërfshirja, jo përjashtimi i pakicës, shpirti i dialogut, kompromisit, jo vetëpëlqimi që mund ta rilindin Shqipërinë si anëtare të denjë të familjes europiane", ka përforcuar një tjetër aspekt delikat të shoqërisë shqiptare, lideri i të majtës.

NDIHEM I NGAZËLLYER SI JU, POR GËZIMI NUK MJAFTON, FITORJA VETË FILLIMI
"Nuk ka pikë dyshimi se duke parë flamujt e fitores të valviten sot nga Kukësi në Gjirokastër, duke dëgjuar brohoritjet e mbështetësve tanë anembanë vendit, që gëzimi të pushtojë mendjen, fytyrën e çdo opozitari, edhe unë ndihem thellësisht i ngazëllyer si të gjithë ju. Por ky gëzim i merituar nuk do të krijojë vende të reja pune, as shërbim shëndetësor më të denjë për të moshuarit. As gëzimi nuk do t’i bëjë rrugët tona më të sigurta. Kjo fitore nuk është mbërritja, por vetëm nisja. Kjo fitore është era e ndryshimit që fryn lirisht në gjithë Shqipërinë. Tani nis puna e madhe për ta bërë ndryshimin të mbërrijë në gjithë Shqipërinë e rrënuar".

NDRYSHIMI NUK VJEN BRENDA NATËS, AS KOLLAJ, DUHET TË SAKRIFIKOJMË FORT
"E ky ndryshim, që të gjithë duam s’do të vijë brenda natës, as kollaj, sepse siç e kam parë në rrugën e jetës sime asgjë e mirë nuk vjen kollaj. Duhet të duash ta arrish, por duhet të punosh dhe sakrifikosh fort për ta arritur. Të gjithë bashkë treguam deri këtu se duam fort që Rilindja të ndodhë. Tani të gjithë bashkë duhet të punojmë dhe sakrifikojmë fort që ta bëjmë atë të ndodhë. Dhe ne do të punojmë fort së bashku si një skuadër. Një skuadër e madhe, që sot ka fituar të drejtën për t’u vënë në provë dhe nesër duhet të nisë punën për të fituar vetë provën".

FALENDEROJ BERISHËN PËR ÇDO TË MIRË, I UROJ ÇDO TË MIRË
"Më ka qëlluar të them deri dje edhe fjalë të papëlqyeshme për paraardhësin tim, siç edhe ai ka thënë jo pak për mua. Kjo ndodh në shoqëri të pazhvilluara si e jona, ku pushteti i popullit degradon në pushtetin e një njeriu të vetëm. Falenderoj Berishën për çdo gjë të mirë që ka bërë. I uroj çdo gjë të mirë në jetë e tij private dhe në vazhdim. Dua ta falenderoj për gjithçka ka bërë, që historia nesër mund ta vlerësojë më objektivisht se unë sot".

VOTA MARRAMENDËSE JO TRIUMF, POR SFIDË MARRAMENDËSE
"Tani që zgjedhjet përfunduan, pushteti është t’u shërbejë me përkushtim gjithë shqiptarëve, jo vetëm atyre që votuan për fituesit. Votën plebishitare që morëm në këto zgjidhje, nuk e konsideroj si triumfin e palës sonë e aq më pak si triumf personal. Shumica marramendëse, që na dhanë shqiptarët, më bën edhe më realist për sfidën marramendëse, që duhet të fitojmë".

ASNJË RROGTAR, MEDIA PRO BERISHËS NUK DUHET TË NDJEHET I KËRCËNUAR
"Pjesë e kësaj sfide është që asnjë zgjedhës i palës tjetër të mos ndjehet keq. Asnjë rrogtar, që i shërben këtij shteti falë meritës të ndjehet i kërcënuar, asnjë burim mediatik që ka mbështetur alternativën e kundërshtarit të mos ndjehet i rrezikuar.  Të gjithë meritojnë respektin tonë dhe të gjithëve do t’u provojmë se ndryshimi s’ka ardhur për t’i bërë keq askujt që s’ka bërë keq duke shkelur ligjet e këtij vendi".

SOT, MOMENTI MË KRENAR I JETËS SIME, POR FITON PËRULJA NDAJ JUSH
"Nuk mund të mos u rrëfej sot se ky është moment më krenar i jetës sime. Por midis krenarisë që ndiej për veten dhe përulësisë që ndiej për besimin e jashtëzakonshëm që keni tek unë, fiton thellë përulësia. Unë do të jem kryeministri juaj, por edhe kryeshërbëtori juaj. Detyra do të jetë imja, pushteti juaj. Nuk do ta harroj këtë, por ju lutem mos e harroni as ju. Jo për mua por për të mirën e Shqipërisë, që duhet të rilindim së bashku", u shpreh Rama.

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë