TIRANE - Kryeministri Berisha priti sot në një takim Kryetarin e BDI-së të Maqedonisë, Ali Ahmeti, gjatë së cilit vlerësoi arritjet e rëndësishme që shqiptarët e Maqedonisë kanë shënuar gjatë gjithë kësaj periudhe në shumë fusha.

Nga ana e tij Ali Ahmeti e falënderoi kryeministrin për pritjen dhe e ftoi për të marrë pjesë në koncertin e madh festiv, i cili do të zhvillohet me rastin e kremtimeve të 100 vjetorit të pavarësisë në Shkup me 25 nëntor, duke theksuar se nderimi me pjesëmarrjen e tij është njëkohësisht dhe dëshira e të gjithë shqiptarëve në Maqedoni.

Kryeministri Berisha gjithashtu shprehu vlerësimin e tij për përkujtimin dhe nderimin që qytetarët maqedonas po i bëjnë në këtë përvjetor të pavarësisë figurave të larta të kombit si Hasan Prishtina, Josif Bageri etj. Kryeministri ritheksoi edhe njëherë rëndësinë e jashtëzakonshme të heqjes të të gjitha barrierave për të konsoliduar gjithnjë e më shumë lidhjet vëllazërore, kulturore e të gjithanshme nën moton “një komb i bashkuar në BE”, por edhe bashkëpunimin në të gjitha fushat në dobi të interesit më të mirë të tyre, paqes, bashkëpunimit e miqësisë në rajon.

(Gre.M/Shqiptarja.com)