SHKUP- Kryeministri i Maqedonisë, Nikola Gruevski, kërkon një zgjidhje që nuk do të ndikojë në identitetin e popullit të Maqedonisë, shkruan sot gazeta greke "Naftemboriki".

Sipas gazetës, Gruevski ka nënvizuar se: “VMRO-DPMNE nuk pajtohet me çfarëdo zgjidhje që, për shkak të ndërrimit të emrit kushtetues, do të parashihte ndryshimin e kushtetutës, e as me një zgjidhje që provokon identitetin e popullit, gjuhën dhe kombin e Maqedonisë. Dhe, nuk do të lejohet miratimi i çfarëdo zgjidhje pa organizimin paraprak të një referendumi”.

Nga ana tjetër, gazeta "Elefterotipia" pohon se, sipas Gruevskit, Qeveria e Maqedonisë dëshiron t’i intensifikojë negociatat për zgjidhjen e çështjes së emrit, ndonëse ende s’ka përgjigje nga pala greke.

“Problemi kryesor në këtë moment është se edhe ne, edhe ndërmjetësi, kemi probleme që bisedojmë me Greqinë. Pra, problemi kryesor është si të vendoset dialogu për këtë çështje”, citon "Elefterotipia" deklaratën e Gruevskit.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)