/ATSH-AFP/ - Kryeministri japonez, Shinzo Abe mendohet se nuk do të marrë pjesë në paradën ushtarake të organizuar nga Kina me rastin e 70-vjetorit të përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, në sfondin e tensioneve që ekzistojnë mes dy gjigantëve aziatikë, njoftoi sot shtypi japonez.
"Tokio nuk i është përgjigjur zyrtarisht ftesës së dërguar nga Pekini, por pa dyshim ekziston mundësia e refuzimit të pjesëmarrjes", konfirmoi e përditshmja japoneze "Yomiuri Shimbun" duke cituar një zyrtar të lartë të ministrisë së Punëve të Jashtme.
"Është e pamundur që kryeministri japonez të marrë pjesë në këtë paradë ndërkohë që Japonia i kërkon Kinës një transparencë më të madhe për buxhetin e saj", deklaroi ai për shtypin vendas.
Me një shumë prej 127 miliardë eurosh, buxheti kinez për mbrojtjen renditet në vendin e dytë në rang ndërkombëtar, jo shumë larg SHBA-së, por ekspertët perëndimorë shprehen të bindur se shpenzimet i tejkalojnë shumat zyrtare.
I pyetur në lidhje me ftesën e marrë nga Kina dhe informacionet e shtypit, zëdhënësi i qeverisë japoneze,Yoshihide Suga, refuzoi të pergjigjet.
"Ne ju kemi shprehur pikëpamjet e vendit tonë përsa i përket një ceremonie të tillë zyrtare", deklaroi ai.
Kjo paradë është e destinuar sipas Pekinit për të nderuar "fitoren e popullit kinez kundër agresionit japonez".