Kryeministri: Ligji për arsimin
garanton barazi sipas meritës

Kryeministri: Ligji për arsimin<br />garanton barazi sipas meritës
TIRANE- Kryeministri Rama e ka konsideruar një gënjeshtër të papranueshme gjithë reagimin kundër Ligjit të Arsimit të Lartë që u miratua mëngjesin e djeshëm. Pak orë pas miratimit të këtij ligji me 78 vota, Rama në një prononcim për shtyp, ka garantuar se ky është ligji që sjell barazi dhe meritë për ata që duan të arsimohen.

“Produkti është absolutisht shumë i mirë, ndërkohë që është për të ardhur keq, kundërshtia që bëhet në emër të të varfërve, duke spekuluar në mënyrën më të padenjë dhe duke gënjyer në mënyrën më të padenjë dhe duke gënjyer në mënyrën më të papranueshme,”-tha Rama. Kryeministri shtoi se qeveria dot mbështesë të gjithë studentët që vijnë nga familjet në nevojë, por edhe ata që janë maturantë të shkëlqyer.

“Ligji garanton konkurrencë, garanton vlerësim të meritës dhe garanton që asnjë i ri apo e re, që ka dëshirë të ndjekë universitetin dhe që e meriton të ndjekë universitetin, të mos pengohet nga varfëria në familje, sepse është shteti që do të mbështesë të gjithë fëmijët e shtresës së varfër, për të kryer me sukses studimet, kur ata e dëshirojnë dhe janë të aftë që të shpalosin talentet, dhuntitë dhe vullnetet e tyre. Ashtu sikundër, ligji mbështet përmes financimit të shtetit, edhe të gjithë ata, të cilët janë të shkëlqyer dhe ajka e studentëve”,- u shpreh kryeministri.

Më tej Rama tha se ligji siguron financimin e shtetit edhe për të gjitha degët prioritare, ose ato që shteti mbron për interesin kombëtar dhe publik, duke filluar nga matematika, anglishtja deri tek albanologjia e me radhë. Kreu i qeverisë tha se me këtë ligj, financat shkojnë drejt të mirës publike. “Po ashtu, ligji i jep fund ndërmarrjeve private në arsim. Nuk lejohet më që të ketë universitete që funksionojnë si ndërmarrje private.

Financimi shtetëror apo publik dhe privat shkon në drejtim të së mirës publike dhe të arsimit publik. Të gjithë janë të barabartë. Konkurrencë dhe meritë. Ndërkohë, garanci për të gjithë prindërit se kursimet e tyre nuk do të shkojnë më dëm, siç kanë shkuar për vite të tëra rëndom, duke iu grabitur ëndrrën më të madhe të jetës së tyre, që ta shikojnë fëmijën të diplomuar realisht dhe të punësuar në bazë të diplomës”,-tha Rama. Këtë ligj kryeministri e vlerësoi edhe si me rëndësi për procesin integrues të vendit.

“Jemi në Europë me këtë ligj. Do të hyjmë në Europë duke implementuar këtë ligj. Sigurisht, sfidat janë përpara. Koha e nevojshme është jo e shkurtër. Gjithçka do të fillojë në vitin e ardhshëm akademik, jo tani në shtator, pasi ky vit do të përdoret për gjithë korpusin e akteve nënligjore, që do të bëjnë të mundur që ligji të jetë një mekanizëm që funksionon në të mirën publike”,-tha Rama.
 
Financimi
“Nuk lejohet më që të ketë universitete që funksionojnë si ndërmarrje private. Financimi shtetëror apo publik dhe privat shkon në drejtim të së mirës publike dhe të arsimit publik. Të gjithë janë të barabartë. Konkurrencë dhe meritë.”

Facebook, Rama u përgjigjet kritikuesve virtualë të ligjit për arsimin
Në statusin e kryeministrit në Facebook, ku shkruante se ligji i ri i arsimit të lartë nuk rrit tarifat e studimit, ka pasur një mori komentesh. Shqetësimet e miqve të tij virtualë Edi Rama u është përgjigjur mbrëmjen e djeshme më durim, duke sqaruar specifikisht çështjet e caktuara. “Aman se na futen frikën kam vajzën me mesatare 9,4. Dhe jam pa punë edhe unë, edhe gruaja. Për 1000 euro që thonë këta të PD do e lija pa shkollë”,- i shkruante një qytetar kryeministrit.

Dhe përgjigjja e Ramës ishte: “Ne rastin tuaj, nëse është siç ju e tregoni, vajza nuk do të paguajë asnjë qindarkë dhe shpenzimet e shkollimit të saj do t'i paguajë shteti”. “Mua më mjafton vetëm opinioni i profesor Fugës që të them që ju jeni gabim. Sa do të vlerësoj ty z. Rama nuk mendoj se dini më shumë se profesor Fuga nga ana e arsimit”,-shkruante një qytetar tjetër.

Ja përgjigjja e Edi Ramës: “Fatmirësisht Ligji i Arsimit të Lartë nuk është prodhim i një mendjeje dhe as i një ministrie, po i një komisioni ekspertësh të njohur të fushës, si edhe i një debati publik që ka vijuar për një kohë shumë të gjatë. Ne kemi vendosur të gjithë vullnetin tonë politik për ta kthyer produktin cilësor të eksperteve në një akt ligjor.”
 
Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 23 Korrik 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com) 

  • Sondazhi i ditës:

    Organet e drejtësisë refuzojnë komisionin 'Antikorrupsion', si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Lushnje/ Merr flakë furgoni i mallrave, shpëton mrekullisht shoferi

Lushnje/ Merr flakë furgoni i mallrave, shpëton mrekullisht shoferi