Kryeministri Edi Rama
TIRANË, 25 Shkurt/ATSH/.- Kryeministri Edi Rama tha sot se epoka që ne kemi çelur duhet të jetë ajo e kalimit të policisë në krahun e qytetarëve.
I pranishëm në ceremoninë e përurimit të ambjenteve të reja të Akademisë së Policisë në Sauk (Tiranë), kryeministri theksoi se tashmë ka nisur një transformim rrënjësor dhe pa kthim i Policisë, ndërsa e vuri theksin tek rritja e besimit të publikut tek struktura policore.
Ai nënvizoi se brenda këtij mandati, Policia e Shtetit shqiptar duhet të jetë në përputhje me modelin më të mirë të policive të rajonit.
"Rritja e besimit të publikut tek Policia e Shtetit nuk vjen përmes shifrave, sado kuptimplota të jenë ato, por në radhë të parë vjen përmes kontaktit të drejtpërdrejtë me trupat e policisë, me sjelljen e policit në komisariate dhe në çdo zyrë. Epoka që ne kemi çelur duhet të jetë ajo e kalimit të policisë në krahun e qytetarëve", theksoi kryeministri Rama.
Nga një epokë, vijoi ai, kur policia i qëndronte përballë qytetarit si një hije shqetësuese, ambicja jonë tashmë është e shprehur, brenda këtij mandati Policia e Shtetit shqiptar duhet të jetë plotësisht në përputhje me modelin më të mirë të policive në rajon, theksoi kryeministri./a.s/(f.n/vijon)








