TIRANE - Kryeministri Berisha është takuar sot pasdite, në Domje të Tiranës, me banorë të komunave, duke e vënë theksin tek zhvillimi që ka fshati sot krahasuar me vite më parë dhe "gënjeshtrat" që po shpërndan kryesocialisti Rama kudo duke mohuar ndërtimin e rrugëve dhe punësimin. 

BERISHA: MANDATI I ARDHSHEM, AI I PUNESIMIT MASIV TE SHQIPTAREVE

"Jam këtu për t’ju thënë se mandati i ardhshëm do të jetë ai i punësimit masiv të shqiptarëve", - tha Kryeministri. -"Vetëm në rrugët kombëtare dhe rurale janë punësuar mbi 57 mijë qytetarë, por ato kanë sjellë krijimin e dhjetra mijëra bizneseve. Kanë nxitur prodhimin, kanë krijuar punën".

"RAMA VRAPON RRUGEVE TONA ME STRAJCEN E GENJESHTRAVE"

"I them z.Rama se dobësia më e madhe e burrit është gënjeshtra", -tha Berisha. - "Ai shkoi në Shkodër dhe u tha shqiptarëve se kjo qeveri ka bërë vetëm 600 km rrugë. Sot nxori “dordolecin” e tij dhe u tha shqiptarëve se kjo qeveri ka ndërtuar 1800 km rrugë. Po, se Shqipëria e tij aq km rrugë ka, ndërsa Shqipëria në të cilën shëtisim ne ka 18 mijë km rrugë.

Meqë jemi tek Rama, ai kudo ku shkon mban me vete strajcën e gënjeshtrave. E keni dëgjuar që thotë se “s’kam qënë kundër Rrugës së Kombit”. Por, a nuk I nise deputetët të ngrenë këtu çadrat e grevës së urisë dhe të përzënë mirditorët? A nuk ishte me partinë tënde që e shpalle Rrugën e Kombit, rrugën e Asgjësë? Le ta lëmë atë në difatën e tij, por një gjë duhet të jem i sinqertë: Nuk ka burrë në Shqipëri, në Ballkan, si ai, arkitekt më të zotë për humbje njerën pas tjetrës", - përfundoi Berisha, duke u bërë thirrje të shohin përpara për ndryshim. 

Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)