Pedro Sánchez shfaqet optimist dhe i vendosur në prag të zgjedhjeve të 29 nëntorit në Spanjë. Në një intervistë për gazetën “El País”, kryeministri dhe lideri i Partisë Socialiste (PSOE) shpreh bindjen se vendi do të dalë nga procesi zgjedhor me një shumicë progresiste, duke mos kursyer kritikat ndaj së djathtës dhe të djathtës ekstreme.
“Hera e fundit që e djathta ekstreme qeverisi në vendin tonë ishte gjatë diktaturës së Frankos”, deklaron Sánchez, duke iu referuar qëndrimeve politike të partisë Vox dhe Partisë Popullore (PP).
Sipas tij, forcat konservatore po përpiqen të krijojnë mosbesim ndaj institucioneve dhe rregullsisë së procesit zgjedhor, duke vënë paraprakisht në dyshim një fitore të mundshme të socialistëve.
Kreu i qeverisë u bën thirrje qytetarëve për një mobilizim historik të elektoratit progresist. Ai beson se një pjesëmarrje prej 75% ose më shumë mund t'u sigurojë forcave progresiste deri në 176 mandate në parlament.
Reformat sociale dhe sfidat e mandatit të ardhshëm
Sánchez mbron paketën e masave sociale të miratuara nga qeveria në ditët e fundit të fushatës, përfshirë zgjerimin e lejeve për humbjen e familjarëve, atësinë dhe mëmësinë, si dhe përmirësimet për të vetëpunësuarit.
Ai hedh poshtë akuzat se këto masa kanë karakter elektoral, duke theksuar se përparimet sociale kanë qenë pjesë e politikave të qeverisë gjatë tetë viteve të fundit. Ndër prioritetet për një mandat të ri, Sánchez rendit përballimin më efektiv të krizës së strehimit, mbrojtjen kushtetuese të pensioneve dhe garantimin e së drejtës për abort.
Në planin ekonomik, ai vë në dukje rezultatet e qeverisjes së tij, duke theksuar se Spanja ka arritur në 22.6 milionë të punësuar dhe ka ulur ndjeshëm pasigurinë në tregun e punës.
Kryeministri mbron gjithashtu sistemin publik të pensioneve. Sipas tij, fondi rezervë i pensioneve është rritur nga 5 miliardë euro në vitin 2018 në afro 20 miliardë euro aktualisht, ndërsa objektivi për vitin 2030 është arritja e 50 miliardë eurove.
Emigracioni, një mundësi dhe jo një problem
Një nga çështjet kryesore të intervistës është emigracioni. Sánchez e konsideron atë një mundësi të madhe për Spanjën dhe jo një problem, duke argumentuar se emigrantët e rregulluar kontribuojnë në ekonominë dhe në sistemin e sigurimeve shoqërore përmes pagesës së kontributeve.
Ai kundërshton pretendimet e Vox-it se emigracioni është një nga shkaqet e krizës së strehimit dhe kritikon propozimet e së djathtës për krijimin e qendrave të deportimit në vende të treta. Sipas tij, këto ide bien ndesh me parimet themelore të Bashkimit Evropian.
Kreu i qeverisë akuzon PP-në dhe Vox-in se po ndjekin një projekt politik që rrezikon të kthejë pas arritjet në të drejtat dhe liritë qytetare.
Rasti Ábalos dhe akuzat për korrupsion
Gjatë intervistës, Sánchez ndalet edhe te skandali që përfshin ish-ministrin socialist José Luis Ábalos, duke pranuar se kjo çështje i ka shkaktuar dëme politike PSOE-së, veçanërisht në raport me elektoratin femëror.
Megjithatë, ai mbron mënyrën se si partia reagoi ndaj rastit, duke përmendur përjashtimin e Ábalos nga partia, marrjen e përgjegjësive politike dhe miratimin e reformave të brendshme për të parandaluar përsëritjen e rasteve të ngjashme.
Sánchez pranon seriozitetin e çështjes, por e krahason atë me situatat e qeverive të mëparshme të drejtuara nga Mariano Rajoy dhe José María Aznar, duke kujtuar se 15 ministra të tyre janë përfshirë në hetime ose janë dënuar për korrupsion.
“Nuk jam i lodhur, kam ende shumë për të bërë”
Pavarësisht tetë viteve në pushtet, krizave politike, pandemisë dhe çështjeve gjyqësore që kanë përfshirë edhe familjen e tij, Sánchez përjashton mundësinë e tërheqjes nga politika.
“E konsideroj veten një njeri jashtëzakonisht me fat. Të jesh kryeministër i Spanjës është një nder. Nuk do të kem kurrë një punë më të mirë në jetën time”, shprehet ai.
Kryeministri thotë se vazhdon të ketë të njëjtin entuziazëm si në ditën e parë dhe thekson se vendi ka ende shumë sfida për të përballuar.
Ai mbron gjithashtu rolin ndërkombëtar të Spanjës, veçanërisht qëndrimin e saj në mbrojtje të së drejtës ndërkombëtare dhe kundër pandëshkueshmërisë përballë gjenocidit në Gaza.
Sa i përket së ardhmes së PSOE-së, Sánchez thekson se pasardhësi i tij në krye të partisë nuk do të zgjidhet prej tij, por nga vetë anëtarësia socialiste përmes mekanizmave të demokracisë së brendshme.
Në fund, mesazhi i tij për votuesit e pavendosur është i qartë: pavarësisht gabimeve të bëra, Spanja ndodhet në një nga periudhat më të mira të dekadave të fundit për sa i përket rritjes ekonomike, punësimit, të drejtave dhe lirive./ La Republicca
“Nëse nuk e duam internacionalen e së djathtës ekstreme për botën, si mund ta duam atë për vendin tonë?”, përfundon Pedro Sánchez.






Komente
Komento