E pranishme në samitin e liderëve të Ballkanit në Durrës, kryeministrja serbe Ana Brnabiç theksoi se Kosova është pjesë e Serbisë dhe për këtë arsye Beogradi e kundërshton fort antarësimin e Kosovës në UNESCO.
Në një intervistë për Report TV, kryeministrja serbe tha se marrëdhëniet me Shqipërinë po përmiresohen dita ditës.
"Ne kemi marrëdhënie fantastike me Shqipërinë që sa vijnë dhe po përmirësohen dita-ditës dhe unë shoh një të ardhme të ndritur për rajonin" shprehet Ana Brnabiç.
Kryeministrja serbe e viziton për herë të parë Shqipërinë, ndërsa ndodhet së bashku me homologët e saj nga Ballkani Perëndimor në Durrës në punimet e Samitit joformal.
Kryeministrja serbe per Report Tv/ Intervista
A do të votoni për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO?
Kjo nuk është axhendë mesa di unë dhe Serbia nuk mund të votojë. Nëse është në axhendë kjo çështje ose nëse do të jetë në axhendë, Serbia e kundërshton fortë këtë.
Përse?
Janë shumë arsye përse! E para Serbia nuk e njeh Kosovën si një shtet të pavarur, Kosova është pjesë e Serbisë dhe kjo është arsye e fortë pse nuk e mbështesim anëtarësimin e Kosovës në UNESCO.
Pas këtij takimi për ekonominë rajonale, a do të bashkëpunoni ju me Kosovën për shkëmbimet e produkteve ose të punoni së bashku për ekonominë?
Për këtë sigurisht, shkëmbimet ekonomike janë shumë mirë. Ne kemi një numër biznesmenësh që kanë interes të përbashkët si një treg i vetëm dhe nuk shoh një problem me këtë dhe çdo gjë që mund të bëjmë për ta bërë ekonominë sa më të fortë që të jetë e mundur në mënyrë që kualiteti i jetës të jetë sa më i mirë i mundshëm dhe ne jemi të hapur për bashkëpunim.
Ky takim do ju ndihmojë ju për lidhjen me Kosovën dhe Shqipërinë?
Ne kemi marrëdhënie fantastike me Shqipërinë që sa vijnë dhe po përmirësohen dita-ditës dhe unë shoh një të ardhme të ndritur për rajonin.
(Kryeministrja serbe gjatë intervistës për Report TV, foto Antonio Çakshiri/Shqiptarja.com)
Redaksia Online
(dy.b/a.ç/shqiptarja.com)