2 persona kanë rënë në pranga dhe një tjetër është shpallur në kërkim pasi dyshohet se janë autorët e 8 vjedhjeve të kryera gjatë janarit në qytetin e Vlorës. Janë arrestuar Ervis Myrtaj, 37-vjeçe Mariglen Lala, 34-vjeç, ndërsa është shpallur në kërkim dhe Antonio Rapaj, 33-vjeç.
Pas një hetimi disa-javor është arritur të zbulohet se tre personat, që kanë qenë më parë të dënuar për vjedhje, kanë hyrë në disa shtëpi dhe dyqane, nga të cilat kanë marrë sende me vlerë, pajise elektro-shtëpiake si dhe para. Grabitjet janë kryer përgjatë muajit janar të këtij viti.
Në bashkë-punim me njëri-tjetrin ata dyshohet se kanë kryer konkretisht këto vjedhje:
- Më datë 01.01.2023, në lagjen “Partizani”, dyshohet se kanë tentuar të vjedhin në banesën e shtetasit K. B;
- Më datë 15.01.2023, në lagjen “Pavarësia”, dyshohet se kanë vjedhur në banesën e shtetasit A. C., disa pajisje elektroshtëpiake;
- Më datë 19.01.2023, në lagjen “28 Nëntori”, dyshohet se kanë vjedhur në lokalin e shtetasit E. B., një televizor;
- Po më datë 19.01.2023, në lagjen “Partizani”, dyshohet se kanë vjedhur në dyqanin e shtetases E. D., produkte të ndryshme ushqimore;
- Po më datë 19.01.2023, në lagjen “Partizani”, dyshohet se kanë vjedhur në dyqanin e shtetasit Xh. Z., steka me cigare dhe një shumë parash;
- Më datë 22.01.2023, në lagjen “28 Nëntori”, dyshohet se kanë vjedhur në banesën e shtetasit H. A., një shumë parash dhe bizhuteri;
- Po më datë 22.01.2023, në lagjen “Osman Haxhiu”, dyshohet se kanë vjedhur një biçikletë;
- Më datë 23.01.2023, në lagjen “28 Nëntori”, dyshohet se kanë vjedhur në dyqanin e shtetasit F. H., steka me cigare dhe një shumë parash.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar disa pajisje që dyshohet se këta shtetas i kanë vjedhur më parë.
Vijon puna për dokumentimin e vjedhjeve të tjera që mund të jenë kryer nga këta persona, si dhe për kapjen e të shpallurit në kërkim.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprime të mëtejshme procedurale.