Kryeprokurori, Adriatik Llalla:
Shpresoj në konsensus

TIRANE- Presidenti i Republikës Bujar Nishani dekretoi paraditen e sotme emrin e Adriatik Llallës për postin e Prokurorit të Përgjithshëm. Emri i Adriatik Llallës që aktualisht mban postin e kryeinspektorit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive pritet t'i kalojë Parlamentit për votim.

Llalla emërohet nga Presidenti për t'u ulur në postin e Prokurorit të Përgjithshëm i cili për 5 vite u mbajt nga zonja Ina Rama.

Në njoftimin për shtyp të presidencës publikohet dekreti me nr 7840, Tiranë, më 03.12.2012.

"Në mbështetje të nenit 93 dhe nenit 149.1 të Kushtetutës, si dhe të nenit 7, pika 1, të ligjit nr. 8737 , datë 12.02.2001 “Për organizimin dhe Funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar,
D e k r e t o j
Neni 1
Zoti Adriatik Llalla, emërohet Prokuror i Përgjithshëm i Republikës së Shqipërisë.
Neni 2
Ky dekret hyn në fuqi menjëherë".

LLALLA: MORA URIME NGA PARTI TE MAJTA DHE TE DJATHTA
Ndërsa vetë Llalla lajmin e dekretimit nga presidenti e ka pritur në zyrën e tij të punës, ku ka deklaruar për mediat se e ndjen një përgjegjësi këtë përzgjedhje dhe shpreson të zgjidhet me konsensus në parlament ditën e enjte. Adriatik Llalla, pas dekretimit nga Presidenti Bujar Nishani për postin e Kryeprokurorit të ri, u shpreh se shpreson që konsensusi në zgjedhjen e Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive (ILDKP), ku mori vota nga opozita, të vijojë edhe në Prokurori.

Me tej Llalla ka treguar se pas vendimit për dekretim të Presidentit ka marrë shumë telefonata nga përfaqësuesit e partive politike në vend, si të majta, ashtu edhe të djathta.

INTERVISTA
Gazetari: Keni pasur telefonata urimi?


Adriatik Llalla: Po, pa diskutim, jashtëzakonisht shumë. Nga familja, miqtë, dashamirësit, nga të gjithë.

Gazetari: Vazhdoni të mbeteni kandidat konsensual siç u zgjodhët në këtë institucion?


Adriatik Llalla: Besoj se po

Gazetari: E merrni si sfidë apo si përgjegjësi që ua kanë ngarkuar?


Adriatik Llalla: Normal që të dyja bashkë.

NISHANI: PSE ZGJODHA LLALLEN

Po kështu presidenca përcolli dhe një relacion shoqërues ku jep arsyet pse vendosi të emërojë Adriatik Llallën si Prokuror i Përgjithshëm. Nishani në përzgjedhjen e emrit ka marrë parasysh dhe votimin konsensual që i është bërë kur u emërua në postin e kreu të ILDKP-së gjithashtu dhe vlerësimin e ndërkombëtarëve për këtë figurë.
“Me Dekretin Nr. 7840, datë 3.12.2012 kam vendosur të emëroj si Prokuror të Përgjithshëm Z. Adriatik Llalla.
Ndërmjet disa kandidaturave, përzgjodha për funksionin e Prokurorit të Përgjithshëm Z. Adriatik Llalla, pasi vlerësova eksperiencën e gjatë në strukturat e Prukurorisë, institucion në të cilin ka kryer funksione të ndryshme.
Vlerësova gjithashtu zgjedhjen e tij konsensuale nga Kuvendi i Shqipërisë në pozicionin e Inspektorit të Përgjithshëm të ILDKP, institucion i cili nga partnerët tanë ndërkombëtarë është vlerësuar si i konsoliduar dhe i pavarur.
Kam bindjen se kjo kandidaturë gjen gjithashtu vlerësimin dhe pranimin jo vetëm të faktorit politik, por edhe të opinionit publik.”- thuhet në relacionin që shoqëron dekretin e presidentit Nishani.

PROKURORIA PARALAJMEROI DERGIMIN E ÇESHTJES NE KUSHTETUESE

Presidenti javën e kaluar paralajmëroi se shumë shpejt do të jepte dhe emrin i cili do të zëvendësonte Ina Ramën në postin e kryeprokurorit të cilin e mbante që prej nëntorit të 2007. Ndërkohë që burime nga Prokuroria bënë të ditur se Prokuroria e Përgjithshme do t'i drejtohej Gjykatës Kushtetuese për interpretim të çështjes që lidhet me përfundimin e mandatit të kreut aktual të këtij institucioni. Burime pranë organit kryesor të akuzës të cilat u referohej gazeta Shqiptarja.com bënin me dije se një nismë e tillë do të ndërmerrej vetëm nëse presidenti Bujar Nishani do të firmoste dekretin për shkarkimin e Ina Ramës. Megjithatë burimet zyrtare të prokurorisë bënë të ditur se çdo nismë ligjore do të ndërmerret vetëm kur të jetë zyrtarizuar dekreti i shkarkimit nga ana e kreut të shtetit.


Lajmi u publikua fillimisht në orën 11:04 dhe u përditësua në 16:02
(sg/Gre.M/shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 13 Mars, 08:44

    Zgjedhjet e 11 majit, cila listë e kandidatëve iu bind më shumë?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Pepolit/ Rama merr mandatin e katërt më 11 maj me 50.5% të votave! Berisha me aleatët forcë e dytë, por me rënie! Lapaj renditet i treti

Sondazhi i Pepolit/ Rama merr mandatin e katërt më 11 maj me 50.5% të votave! Berisha me aleatët forcë e dytë, por me rënie! Lapaj renditet i treti