TIRANE- Vetëm një ditë përpara takimit të kryetarit të shtetit Bujar Nishani me krerët e grupeve parlamentare për konsultime për Kryeprokurorin e ri që do të pasojë Ina Ramën, ka reaguar nënkryetari i grupit parlamentar të PS, Erjon Braçe në profilin e tij në rrjetin social facebook. "Sali Berisha ka vënë Bujar Nishanin të pushtojë prokurorinë duke e nisur nga nesër(sot). Presidenti i Partisë Demokratike nis nesër(sot) procedurën për shkarkimin e Prokurorit të Republikës, në mënyrë ajntikushtetuese duke e bërë fakt të kryer", ka deklaruar ditën e djeshme deputeti Braçe. Njëherësh ai është shprehur në mënyrë indirekte dhe kundër takimit të kreut të grupit socialist Ruçi me Nishanin, kur thotë se Berisha kërkon t'i bëjë pjesë e shkarkimit të kryeprokurorit. "Kryetarët e grupeve të deputetëve janë thirrur nesër vetëm për të dhënë idenë e tyre se si duhet të jetë Prokurori i ri. Ky është një provokim, kërkon t'i bëjë pjesë e shkarkimit de fakto të Prokurorit të Përgjithshëm. Ky është dhunim i Kushtetutës. Ajo ka hyrë në fuqi në maj 2008, për pasojë mandati i Prokurorit mbaron në maj 2013", deklaron Braçe. Për të cili kryeministri Berisdha nuk ndalet, po pushton çdo institucion e po e bën realitet shtetin e një partie, Partisë Demokratike. "Ç'kuptim ka që të votojmë ligje të reja për Gjykatën e Lartë etj. Ja ku është Kushtetuta, ligji më i lartë i shtetit nuk po zbatohet. Sistemi po bie frikshëm dhe kjo nuk ka të bëjë hiç me integrimin", ka deklaruar dje Braçe tepër i shqetësuar për institucionet e pavarura dhe aktin themeltar të shtetit. Nuk është hera e parë që nënkryetari i grupit parlamentar socialist shfaqet i shqetësuar në lidhje me përpjekjet e kësaj qeverie, sipas tij, për të pushtuar të gjitha institucionet. Njëherësh në mënyrë të tërthortë ai shprehet dhe kundër takimit të përfaqësuesit socialist Ruçi me kreun e shtetit Nishani, sot për Prokurorin e ri të Përgjithshëm, duke thënë se partitë po bëhen pjesë e lojës.
(sg/shqiptarja.com )
/Shqiptarja.com
(sg/shqiptarja.com )








