Revista spanjolle 'Traveler Magazine' i ka dedikuar një artikull Tiranës ku në thelbin e saj ka ndryshimet në kryeqytetin shqiptar. Gazetarja Cristina Fernández González shkruan se Tirana po ndryshon me hapa të mëdhenj për të kapur kohën e humbur, por pa hequr dorë nga e kaluara e saj, për të kuptuar të sotmen.
Kjo revistë fton qytetarët spanjoll të vizitojnë Tiranën ku edhe do të ketë në dispozicion një ciceron, i cili merret në zyrën e Turizmit në sheshin Skënderbej. Në këtë pikë gjithashtu mund të gjenden edhe itinerare të cilat lidhen me arkitekturën komuniste, historinë dhe tema të tjera, përfshirë edhe një mori fasadash nga më befasueset, të cilat rrethojnë qendrën historike të Tiranës, shkruan 'Treveler Magazine'.
Kjo revistë tregon edhe se si duhet kaluar një ditë në Tiranë, kryeqytet të cilin e cilëson si 'më të panjohurin në Europë'. Ajo përshkruan me orë një ditë në Tiranë, të cilën siç e thamë e fillon në 9:30 në Sheshin Skënderbej dhe e përfundon në 17:30 në bllok, ku fillimisht ndalet në nomlekaturat komuniste dhe më pas fton të vizitohen kafet dhe restorantet më avangardë.