Kryesia e PS, Rama: Të mbrojmë
rezultatin e 2013, shtojmë votat 

Kryesia e PS, Rama: Të mbrojmë<br />rezultatin e 2013, shtojmë votat 
Partia Socialiste mblodhi pasditen e kësaj të marte kryesinë e saj, forumin më të lartë vendimmarrëse për çështjet politike. 

Kryetari i PS dhe njëherazi kryeministri Edi Rama ka kërkuar angazhim konkret nga të gjitha organizatat drejtuese të PS, si Forumi i të rinjve dhe Forumi i gruas, në fushatën e 18 qershorit.   
 
Përpara anëtarëve të Kryesisë, Rama ka përcaktuar rezultatin e 2013-ës si pragun minimal për socialistët në zgjedhjet parlamentare të këtij viti, pra ruajtjen e atij numri votash që i siguroi PS-së rikthimin në pushtet 4 vite më parë. 
 
"Pavarësisht aleatëve, duhen maksimizuar votat e Partisë Socialiste. Kjo për të siguruar rezultatin që morëm 4 vite më parë, i cili na jep 69 mandate në Kuvend. Ajo që duhet të bëjmë është të punojmë për të shtuar votat në funksion të maksimalizimit të fitores së PS", mësohet të jetë shprehur Rama. 

Mësohet gjithashtu se kryeministri nuk ka komentuar situatën e fundit të tensionuar mes PS dhe LSI. 

Niko Peleshi: Aleatët po ndjekin taktika elektorale
Pas mbledhjes së kryesisë, zv/kryeministri Niko Peleshi tha se u diskutua për zgjedhjet e 18 qershorit. Ai iu referua edhe debatit brenda koalicionit, duke shtuar se partitë aleate mund të kenë taktika elektorale, por ajo që synon PS është aleanca strategjike. 

"Ne kemi vetëm një qasje me koalicionin, atë strategjike. Parti në koalicion mund të kenë qasje taktike elektorale. Nëse qasja taktike s’prek qasjen tonë strategjike, s’ka probleme", u shpreh Peleshi. 

Ai tha se PS shkon në zgjedhjet e 18 qershorit me synimin për marrjen e një mandati të dytë qeverisës. 

"Kemi një program shumë ambicioze, jemi në muajt e fundit të mandatit të parë, duke u përgatitur për mandatin e dytë. Krahas punës për hartimin e programit të mandatit të dytë.

Le ta dëgjojë edhe komuniteti, populli por edhe partitë aleate se strategjia jonë për të qeverisur vendin me ritmin e reformave, pa taktika, nuk do të ndryshojë. Partitë në koalicion mund të kenë taktika elektorale",
tha Peleshi.
 
Sa i takon shkarkimit të Ylli Manjanit, Peleshi tha se deklaratat e tij shpaguan arsyet se pse ai vendim që u mor ishte i drejtë. "Ato deklarata vetëm sa shpjeguan shumë qartësisht arsyet, e kam thënë edhe një herë në një prononcim, sepse ai vendim që u mor për shkarkimin e zotit Manjani ishte i drejtë".

Prononcimi i plotë i Peleshit: 
"Ishte një mbledhje e zakonshme e kryesisë, jo e jashtëzakonshme; një mbledhje rutinë, që ashtu si mbledhjet e tjera i vlen organizimit të Partisë Socialiste për të përçuar përmes gjithë strukturës së vet, që është e shtirë në mënyrë kapilare në të gjithë territorin e Shqipërisë, mesazhin dhe nevojën e mbështetjes popullore të reformave tona. Kemi një program shumë ambicioz, jemi në muajt e fundit të mandatit të parë duke u përgatitur për sfidën e rradhës, për zgjedhjet që do e çojnë Partinë Socialiste në mandatin e vet të dytë. Natyrisht, krahas punës së hartimit të programit për mandatin e dytë, kemi shumë të nevojshme gjithnjë që përmes strukturës sonë të përçojmë në komunitet mesazhet dhe nevojën e një bashkëpunimi, mbështjetje të padeformuar të gjithë misionit tonë të qeverisjes, në çdo familje, në çdo fshat, në çdo qytet, në çdo grup interesi.

Ky është misioni jonë, ky është fokusi jonë i pandryshuar; dhe kjo mbledhje Kryesie, siç e thashë, ishte një mbledhje e zakonshme që i shkon përshtat pikërisht kësaj filozofie"
.

A u fol në mbledhjen e qeverisë për çështjen më të fundit, shkarkimin e Ministrit të Drejtësisë dhe akuzat që ai hodhi ndaj qeverisë?
Edhe në emër te qeverisë, në qoftë se dëshironi, mund t’ju rikonfirmoj që ne kemi një dhe vetëm një qasje në koalicion. Qasja jonë është strategjike, nuk është një qasje taktike. Natyrisht mirëkuptojmë, dhe nuk është në dorën tonë që partitë në koalicion të kenë qasjet e tyre taktike, por kjo nuk ndryshon qasjen tonë strategjike te koalicionit në bashkëqeverisje. Kështu është sot, kështu do të jetë edhe nesër. Natyrisht që le ta dëgjojë edhe komuniteti, populli, por edhe partitë tona aleate se strategjia jonë për të qeverisur vendin në ritmin e padevijuar të reformave, - të cilat nuk janë të thjeshta dhe kërkojnë punë të palodhur,  të cilat kërkojnë angazhim dhe nuk na lënë kohë të lirë për taktika, - nuk do të ndryshojë. 

Ju po thoni që LSI po përdor taktika?
Unë thashë që ne mund të mirëkuptojmë që partitë në koalicion mund të kenë taktika elektorale, të cilat për sa kohë nuk dëmtojnë qasjen tonë strategjike, janë të mirëkuptuara. 

Çfarë kishte të vërteta deklarata e zotit Manjani? 
Ato deklarata vetëm sa shpjeguan shumë qartësisht arsyet, e kam thënë edhe një herë në një prononcim, sepse ai vendim që u mor për shkarkimin e zotit Manjani ishte i drejtë.

Veliaj: PS ka ndezur motorët, s'jemi kundër koalicionit me LSI
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj në cilësinë e anëtarit të kryesisë së PS, u shpreh se selia rozë ka ndezur motorët e fushatës së 18 qershorit. Veliaj tha se PS do arrijë të fitojë zgjedhjet parlamentare, ndërsa referuar debateve të fundit brenda koalicionit, shtoi se qytetarët duan të shohin punë dhe jo telenovela.  
 
"PS ka ndezur motorët për fitoren e 18 qershorit. Puna jo vetëm në tiranë, por në gjitha bashkitë, do të garantojë këtë fitore. Ka nevojë gjithmonë për telenovelë, por një parti e matur është e fokusuar të gjërat e rëndësishme, janë ato që vënë ushqim në tryezën e çdo shqiptari. Qytetarët që votojnë presin ta shohin qeverinë në punë, presin t'i shohin kryetarët e bashkive në punë. Bashkimi e bën fuqinë, jemi më të bashkuar se kurrë. Jemi të vendosur për të pasur një fitore edhe më të thellë këtë vit. Edhe bashkitë do të kenë rol dhe fati i punëve të nisura ka të bëjë me suksesin e kësaj qeverie. Unë investohem në këtë ekip, si anëtar i këtij ekipi", tha Veliaj.
 
I pyetur për shkarkimin e ish-ministri të Drejtësisë, Ylli Manjani, Veliaj tha se skuadrën e bën kapiteni, në këtë rast kryeministri Edi Rama.
 
"Në një qeveri dhe në një skuadër ku unë kam bërë pjesë, në atë të Edi Ramës, është drejtimi i kapitenit ai që i jep vizionin qeverisë, mbledh skuadrën dhe vendos kush rri e kush ikën. Në një moment u vendos që unë të lija skuadrën dhe të krijoja një skuadër dhe një ekip të ri", u shpreh Veliaj.  
 
Sa i takon koalicionit me LSI, Veliaj theksoi se marrëveshja e PS me këtë forcë politike është përtej një mandati. Sipas tij, në PS nuk ka zëra kundër koalicionit me LSI.
 
"Aleanca që kemi me LSI është një projekt strategjik. Besoj si dikush që është investuar tek e majta që ky është një prioritet përtej një mandati, bashkimi i të majtës përtej datave elektorale. Në PS nuk ka zëra kundër koalicionit me LSI", u shpreh Veliaj.  

Prononcimi i plotë i kryebashkiakut Erion Veliaj:
"Unë e kuptoj urinë mediatike, ka gjithmonë nevojë për telenovelë çdo ditë, do të ketë nevojë për një episod ,por unë besoj një parti e matur është e fokusuar tek gjërat e rëndësishme . Ajo që po ndodh në qytetet e Shqipërisë,këto reforma që po ndodhin në Shqipëri janë besoj gjëra të rëndësishme,janë ato që vënë ushqim në tryezën e çdo shqiptari,janë ato që tregojnë kujdesje për familjen e secilit  prej atyre që jetojnë në Shqipëri. Janë këto përkujdesje për qytetet tona,edhe për zhvillimin urban dhe besoj çdo harxhim kohe me telenovela për gjëra të së shkuarës, nuk i bëjnë mirë Shqipërisë. Ndaj dhe besoj që qytetarët që ju ndjekin ,të gjithë ata që votojnë,të gjithë ata që paguajnë taksa, presin ta shohin qeverinë në punë, presin që t’i shohin kryetarët e bashkive në punë.

 Unë kam qenë anëtar i qeverisë,me nostalgji kujtoj që funksionon si ekip, edhe unë di të them që sot si një drejtues i ekipit tjetër në pushtet vendor, di të them gjithmonë që ekipi është shumë herë më i rëndësishëm se secili prej individëve,përfshirë dhe mua. Ndaj edhe besoj që kur kemi një ekip që është I fokusuar , çdo gjë mund të arrihet. Besoj që bashkimi bën fuqinë. Sot duhet të jemi më të bashkuar se kurrë dhe besoj, ajo që thashë është që sot meritojmë të gjithë, si media, si shoqëri, si politikë, të jemi të fokusuar në nevojat e vendit.

Bisedat dhe telenovelat politike nuk çojnë bukë në shtëpinë e asnjërit, nuk hapin asnjë vend pune, nuk ndërtojnë, nuk i bëjnë qytetet më të pastra, nuk ndërtojnë më shumë shkolla. Këto janë temat që kanë rëndësi, kjo është arsyeja pse u mblodhëm sot si kryesi.  Jemi të vendosur për të pasur një fitore akoma më të thellë këtë vit, ku sigurisht edhe bashkitë do të kenë një rol, sepse unë besoj që fati i punëve të nisura që dëgjohen edhe në sfond, në Tiranë ka të bëjë patjetër me suksesin e kësaj qeverise, sepse ne kemi parë se si qytetet janë sabotuar, janë neglizhuar, degjeneruar kur kemi pasur qeveri që s’kanë pasur lidhje me civilizimin, urbanizimin e qytetërimin. Unë investohem në këtë ekip, si një anëtar i këtij ekipi, duke pranuar gjithmonë që gjithmonë ekipi është më i rëndësishëm se secili prej nesh".


Për shkarkimin e z. Manjani?
Unë s’jam anëtar i qeverisë, por di të them këtë, që në një qeveri dhe në një skuadër ku unë kam bërë pjesë, që është ajo e Edi Ramës, i cili është kapiteni i ekipit, sigurisht që është drejtimi i kapitenit, ashtu si edhe në një skuadër të një loje tjetër, drejtimi i kapitenit është ai që jep vizionin e qeverisë, që mbledh skuadrën dhe që vendos kush rri e kush ikën në skuadër. Në një moment u vendos që unë të lija skuadrën, për të bërë një ekip e skuadër tjetër, ndaj edhe them ka gjëra shumë më të rëndësishme dhe siç them gjithmonë, ka më shumë gjëra që na bashkojnë se na ndajnë.

PS i ka ndezur motorët për të ecur vetëm në 18 qershor apo…?
I ka ndezur motorët për një partneritet strategjik, ku sigurisht forca kryesore është PS, është forca kryesore në pushtet vendor, në Parlament, forca kryesore në qeveri. Me aleancën që kemi me LSI është një projekt strategjik. Unë gjithmonë besoj, si dikush që është investuar tek e majta, që ky është një projekt përtej një mandati. Për shumë të majtë është konceptuar si një projekt i bashkimit të së majtës përtej datave elektorale dhe besoj se kështu do jetë. Ju uroj shumë sukses!

Brenda LSI ka zëra kundër për koalicion, brenda PS ka të tillë?
Nuk ka zëra kundër. 

PS mbledh Kryesinë, diskutohet për zgjedhjet
Partia Socialiste ka mbledhur pasditen e kësaj të marte kryesinë, forumin më të lartë vendimmarrëse për çështjet politike. 

Në këtë mbledhje merr pjesë edhe kryetari i PS, njëherazi kryeministri Edi Rama. 

Mbledhja ka qenë e programuar kohë më parë. Kryesia e PS mblidhet çdo ditë të martë, njëherë në muaj.  

Kjo mbledhje përkon me zhvillimet brenda koalicionit pas tensioneve me LSI-në, por burime brenda kryesisë bëjnë të ditur se temë e diskutimit nuk do të jetë kjo çështje.
 
Në fokus të takimit janë zgjedhjet e 18 qershorit dhe përgatitja e strukturave të PS.
 
Një ditë më parë PS mblodhi grupin parlamentar dhe koordinatorët e 12 qarqeve ku u diskutua për organizimin e selisë rozë.

Mësohet se Rama u ka kërkuar 12 koordinatorëve të ruajnë rezultatin e vitit 2013 ndryshe do të mbanin përgjegjësi, teksa ka kërkuar po ashtu, që rezultati të rritet. “Kjo fushatë zgjedhore dhe këto zgjedhje nuk do të jenë aspak të lehta", mësohet të jetë shprehur Rama.

  • Sondazhi i ditës:

    Ftesa e Ramës, a duhet të kthehen emigrantët që punojnë në turizëm?



×

Lajmi i fundit

Borrell propozon sanksionimin e zyrtarëve izraelitë për shkak të dhunës së kolonëve

Borrell propozon sanksionimin e zyrtarëve izraelitë për shkak të dhunës së kolonëve