Kryesia e Partisë Socialiste u mblodh mbrëmjen e djeshme nën drejtimin e Edi Ramës, për të vijuar procedurat për zgjedhjen e 61 kryetarëve të degëve të PS-së. Burime të rezervuara për Shqiptarja.com thanë se gjatë mbledhjes kanë raportuar të gjithë delegatët, të cilët fundjavën e shkuar kanë qenë në zonat e lëna në ngarkim, për të ndjekur procesin e propozimit të kandidaturave për kryetarë nga baza e partisë. Mësohet se stafi teknik pranë kryesisë do të shqyrtojë të gjitha kandidaturat që janë depozituara, për të vlerësuar integritetin e tyre dhe përmbushjen e kushteve të sanksionuara në statutin e partisë. Më pas ky staf do të paraqesë një relacion për kryesinë, e cila do të marrë vendim se cilët emra do të miratojë për t’i hedhur në garë për zgjedhjen e kryetarit të ri në çdo degë, që përkon me çdo njësi administrative bashkiake.
/Shqiptarja.com











