TIRANE- Përplasjet në bazë mes të deleguarve të kryesisë, deputetëve dhe drejtuesve të departamenteve me kryetarët e degëve, nuk janë një gjetje surprizuese e raportit të analizës, pasi mosmarrëveshjet kanë nisur që para fushatës së zgjedhjeve. Procesi i zgjedhjeve për kryetarët e degëve të PD në të gjithë vendin, përfundoi një vit më parë, për të konkluduar më pas në fund të nëntorit të 2014-ës, zgjedhjet e strukturave të larta drejtuese në qendër të PD.

Por, edhe pse kishte kaluar vetëm pak kohë nga konstituimi i degëve lokale dhe strukturave të larta drejtuese si sekretariati dhe departamentet, të cilët njëkohësisht përbëjnë edhe kryesinë, kjo nuk e pengoi nxitjen e tensioneve në strukturën bazë të Partisë Demokratike. Kësisoj, afrimi i fushatës së zgjedhjeve vendore të 21 qershorit, do të kthente sherrin mes degëve të PD-së dhe të deleguarve nga kryesia e Partisë Demokratike. Në jo pak raste, degët refuzuan të deleguarit e kryesisë si dhe anasjelltas, deputetët dhe të deleguarit e kryesisë, shpërfillën strukturat lokale.