Këshilli i Ministrave vendosur të zgjasë deri në 31 dhjetor 2025 mbrojtjen nga Garda e Republikës të kryetarit dhe anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Qeveria ka përcaktuar me vendim se anëtarët e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit hyjnë në listën e personaliteteve që duhet të mbrohen nga oficerët e Gardës.

Vendimi i qeverisë, i mbështetur në Kushtetutë dhe në disa nene të ligjit “Për Gardën e Republikës së Shqipërisë”, pas propozimit të ministrit të Brendshëm, përcakton se kryetari dhe komisionerët e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit përfitojnë mbrojtje deri më 31 dhjetor 2025. Ky vendim do të hyjë në fuqi në mes të muajit janar pas botimit në “Fletoren zyrtare” të radhës.

'Me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave vendosi: 1. Në shkronjën “j”, të pikës 1, të vendimit nr.597, datë 13.10.2021, të Këshillit të Ministrave, pas fjalëve “… kryetarin e komisionerët e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit …” shtohen “… deri më 31 dhjetor 2025', thuhet në vendim.

Komisionerët e vettingut që rrëzoi piramidën e vjetër të sistemit të drejtësisë kryen kontrollin e 800 gjyqtarëve, prokurorëve, ndihmësve ligjore dhe sipas Kushtetutës e ligjit e mbyllën misionin në dhjetor të 2024. Tashmë detyrën e tyre do ta kryeje Struktura e Posaçme Antikorrupsion nën drejtimin e Altin Dumanit.

Kjo do të thotë se për çdo rast që do të ngrihen dyshime rreth gjyqtarëve apo prokurorëve në detyrë, do të hyjnë në lojë prokurorët e posaçëm, të cilët kanë të drejta të pakufizuara për të hetuar gjithçka që përbën dyshim se mund të jete akt korruptiv apo i krimit të organizuar.