PRISHTINE, 3 shkurt /ATSH/. - Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka pritur sot në selinë e partisë një delegacion sindikalistësh të Shqipërisë, të udhëhequr nga Gëzim Kalaja, kryetar i Sindikatave të Bashkuara dhe të Minatorëve të Shqipërisë, në shoqëri me kreun e BSPK-së, Haxhi Arifin.
Kryetari Haradinaj dhe kryesindikalisti shqiptar, Kalaja, bashkëbiseduan për situatën dhe zhvillimet nëpër të cilat po kalon punëtoria në të dyja anët, për të drejtat, nevojat dhe kërkesat që kanë të punësuarit në Kosovë e Shqipëri, angazhimet sindikaliste dhe përballjet e tyre me politikat qeveritare.
Kryetari Haradinaj theksoi në takim, veçanërisht, çështjen e "Trepçës", si temë tejet të ndjeshme dhe sfiduese për vendin dhe procesin nëpër të cilin po kalojmë. Ai ka thënë se "Trepça" duhet të ketë trajtim më të kujdesshëm dhe më të vëmëndshëm dhe se sindikatat duhet ta trajtojnë këtë problem me më shumë presion mbi qeverinë, në të mirë të këtij gjigandi dhe të punëtorëve të tij.
Nga ana e tij, kryesindikalisti Kalaja i përcolli kryetarit Haradinaj shqetësimet e tij dhe të sindikatave shqiptare për zhvillimet më të fundit të kësaj fushe në Kosovë dhe admirimin për angazhimin dhe rolin e kryetarit Haradinaj dhe të Aleancës në këto zhvillime. /b.j//a.ke/









