Kryetari i Komunës Qendër, Berberi:
Patrullë policie 24 orë në Nartë

Kryetari i Komunës Qendër, Berberi:<br />Patrullë policie 24 orë në Nartë
VLORË - Historia e të moshuareve të Nartës ka tronditur mbarë opinionin. Z.Berberi kemi ardhur në Nartë për të mësuar nga goja juaj se cila është e vërteta rreth lajmit të përdhunimit të moshuarave dhe cili është presioni i pushtetit vendor për gjetjen e autorëve?
 
Bisedën e nis duke ju deklaruar se ngjarja është e vërtetë, sido që është e turpshme, e pabesueshme, nuk mund të mohohet. Të gjithë jemi të shqetësuar, por unë ndjej edhe përgjegjësinë si kryetar i Komunës por edhe si djalë fshati. Po, në Nartë janë përdhunuar të moshuara, kemi raste të përsëritura dhe i gjithë komuniteti është vënë në alarmë. Pa mbushur një vit janë shënuar dy raste, ndërsa njihen gjithësej 7-8 raste.

Në rastin e parafundit, që i përket muajit tetor të vitit të kaluar, fatmirësisht specialistët e policisë, kanë mundur të gjejnë disa prova, që mund të çojë drejt identifikimit të personit. Gjatë gjithë kohës jemi në kontakt me policinë, janë marrë në pyetje disa persona dhe jemi në pritje të lajmit të mirë. Vënies në pranga të manjakut.
 
Të ndalemi tek rasti i fundit, që u shënua mesnatën e të hënës së se 8 korrikut. Si ndodhi dhe çfarë të rejash kemi nga ngjarja e dhimbshme?
Për rastin e zonjës dua të nënvizoj se nuk u krye akti, mbeti në tentativë, por ka shkaktuar tmerr dhe panik tek e moshuara, që ishte vetëm në shtëpi. Si rezultat i rezistencës së saj, është dëmtuar në fytyrë veçanërisht rreth gojës.
Policia erdhi në vendgjarje, ka bërë veprimet e duhura, është punuar intensivisht, janë piketuar disa persona. Na ngroh fakti që policia ka siguruar provë, gjurmët e dorës së tij, ku përcaktohet edhe adn-ja...
 
Çfarë thotë e moshuara, nuk pati asnjë mundësi për të identifikuar së paku siluetën e dhunuesit?
E pamundur, jo nga një e moshuar, por edhe grua e re të ishte. Imagjinoni, zonja ka qënë duke fjetur, krejt papritur dikush ka hyrë nga dritarja dhe i ka shkuar në krevat me fytyrën të mbuluar me çorape të zezë. Janë momente tmerri për cilindo që do t’i ndodhte.
 
Ju flisni kaq i qetë z. Berberi, ndërsa bashkëbisedojmë për një fenomen të padëgjuar jo vetëm në Shqipëri, por edhe në pak vende të botës së qytetëruar. Përse ka lindur ky fenomen pikërisht në Nartë?
Nuk e di si kërkoni të flas, por ajo që ka rëndësi është puna që po bëhet nga komuniteti në bashkëpunim me policinë e shtetit. Kam rastin të shprehem se për këtë problem pati një sensibilizim edhe nga gratë e banorët e Nartës, që nuk ishte protestë, por një kuvend i nartiotëve që i drejtuan pyetjen njëri- tjetrit: Çfarë do të bëjmë për të kapur autorin vetë ne? Një detyrë që u shtrua ishte grumbullimi i të gjitha denoncimeve nga unë kryetari i Komunës, kryeplaku i fshatit, me shpresë se do të grumbullohen prova të reja.
 
Policia është shumë e kursyer rreth këtyre ngjarjeve, madje e kalon në heshtje. Për ju e të tjerë z. Berberi, cili mendoni se është motivi i këtij fenomeni të shëmtuar. Hyjnë për të grabitur dhe kryejnë përdhunimin, apo...?
Nga përfundimet që janë arritur nga ky fenomen vërtetë i shëmtuar, rezulton se nuk ka të bëjë me grabitjet e banesave, madje në rastin e fundit e moshuara i kish ofruar të hollat që kishte vetëm të largohej, por manjaku nuk i kish prekur. Pra kemi një serial të dhimbshëm përdhunimesh nga një manjak, apo  disa.
 
Mendoni se janë vendas, apo të ardhur që janë sistemuar e punojnë në Nartë?
Në të dy rastet po punohet dhe mund të jenë edhe vendas, por edhe një i ardhur që njeh mirë të moshuarat e vetmuara.
 
Pak vite më parë z. Berberi unë kam ndjekur një gjyq ku protoganist ishte një i ri që banonte në Nartë dhe kish përdhunuar një të moshuar, kujtoj mbiemrin Berberi. Mos ka dalë nga bargu dhe vazhdon serialin e përdhunimeve?
Është e vërtetë që është dënuar një i ri, madje me dhimbje e them se e dëmtuara ka qënë xhaxhesha ime, që ka një vit e gjysëm që ka ndërruar jetë. Kjo është punë e policisë, por di që është shoqëruar në polici. Fshati është i irrituar, pse kemi dy ndjesi të dhimbëshme: turpin dhe masakrimi i të moshuarve. Banorët shprehen, por edhe unë e them me zë të lartë se po e kapëm, do ta varim në mes të fshatit.
 
Mos ndoshta Komuna duhet të vendosë patrulla që të lëvizin nëpër fshat dhe vecanërisht të merren në mbrojtje të moshuarat që jetojnë vetëm?
Pyetje e drejtë, e kemi menduar edhe këtë masë, nga ajo çka ndodhur deri tani. Rezulton se rastet përsëriten njëherë në vit apo 7-9 muaj. Në Nartë janë rreth 40 gra të moshuara që jetojnë vetëm dhe është e frikëshme kur i shtrojnë pyetjen vetes: Mos e kam unë rradhën?

Pas rastit të fundit, ramë dakord me policinë e shtetit, drejtorin e policisë së Vlorës, në Nartë do të ketë një patrullë policie, non stop 24 orë. Ndoshta kjo masë do të frenojë fenomenin, pse jo edhe të grumbullojë të dhëna për rastet që kanë kaluar, por mbi të gjitha krijohet siguria në fshat dhe sjell qetësinë shpirtërore tek të moshuarat, që jetojnë vetëm. Gjithësesi unë  dhe komuniteti kemi shpresë se do të identifikohet dhe arrestohet autori, çka do t’i vërë kapak kësaj historie të dhimbshme, që ka tronditur rëndë fshatarët e Nartës dhe jo vetëm.
 
Sa banorë ka fshati sot? 
Rreth 500 banorë, ndërsa në emigrim janë mbi 3000 nartiotë. Në muajin gusht Narta gjallërohet, pasi kthehen emigrantët për pushime, por kjo verë është e trishtë për të gjithë ne. Djemtë përveçe shuajnë mallin, ngrejnë edhe shqetësimin për nënat e tyre që kanë lënë në shtëpi.

Shkrimi u botua sot në Gazetën Shqiptarja.com (print) 16.07.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Skandali me mbetjet toksike, sipas jush e kujt është përgjegjësia?



×

Lajmi i fundit

I akuzuar për pjesëmarrje në organizatë kriminale e trafikim të narkotikëve në Itali, vihet në pranga 28-vjeçari! Ja momenti kur arrestohet (VIDEO)

I akuzuar për pjesëmarrje në organizatë kriminale e trafikim të narkotikëve në Itali, vihet në pranga 28-vjeçari! Ja momenti kur arrestohet (VIDEO)