SHKODËR- Kryesia e Partisë Demokratike vendosi që mos të nxjerrë kandidat për kryebashkiak në Bashkinë e Shkodrës, duke i lënë kështu rrugën të hapur kandidatit të koalicionit Meta-Berisha. Por duket se baza e PD-së në Shkodër nuk është dakord me këtë vendim të marrë nga Kryesia e PD-së dhe kryetari i Komanduar Enklejd Alibeaj. Ka qenë vetë kreu i PD-së në Shkodër, Xhevdet Amuli i cili ka shprehur hapur pakënaqësitë për këtë vendim të kryesisë, por gjithsesi ai thotë se janë të detyruar ta respektojnë e mos të nxjerrin kandidat.

”Kështu e ka parë të arsyeshme, kryesia e PD-së, vendimi merret nga kryesia e PD-së, pavarësisht se Alibeaj është kryetari në detyrë, por gjithsesi ai nuk mund të vendos pa marrë vendimin dhe votimin e kryesisë së PD-së”, u shpreh ai.

Por ky vendim i Kryesisë duket se do t’i kushtojë Spahisë votat e demokratëve të Shkodrës. Në një intervistë për televizionin lokal TV1 Channel, Xhevdet Amuli thotë se nuk do ta mbështesin kandidaturën e Spahisë për kryebashkiak, madje ai thotë se do të orientojnë votën e demokratëve vetëm për kandidatët për këshilla bashkiakë që përfaqësojnë PD e Alibeajt. Amuli shprehet se nuk mund t’ia japin votën koalicionit Meta-Berisha, pasi ata të dy e kanë shkatërruar Partinë Demokratike.

”Unë nuk kam si të votoj PS, as PL, janë dy pole që ndër vite janë munduar të shkërmoqin PD-në. Ne do të votojmë PD, figurat e PD, këshillat bashkiakë, kjo është zgjidhja.

Unë nuk kam lidhje me asnjë subjekt te tjera dhe siç e thashë shkatërrimi i PD-së ndër vite është LSI, që në koalicionin e parë. Kandidati, pra Bardhi kujt i shërben? Berisha-Meta e kanë shkatërruar PD, e ka ardhur koha që ne të vazhdojmë drejt rrugë së saj, të ndahemi nga e kaluara.

Foltorja e ka filluar ‘reformën’ e administratës në Shkodër, duke larguar me personat më të vlefshëm të PD, dhe disa herë e kam denoncuar për këto largime nga puna, se janë larguar pa asnjë motivacion, kështu që nuk mund tu them demokratëve dhe t’i orientoj ata që të votojnë PL”, tha Omuli.

Deri më tani Alibeaj ka bërë publik kandidimin në 19 bashki, në Lezhë dhe në Korçë u tërhoqën kandidatët, ndërsa në Librazhd, Vorë dhe në Kurbin kandidatët nuk janë miratuar nga Kryesia. Ndërkohë, PD nuk nxori kandidatë në Durrës, Elbasan dhe Shkodër për t’iu lënë mundësi kandidatëve të nxjerrë nga Sali Berisha.