PRISHTINË, /ATSH/.- Kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, priti sot në një takim 20 aktivistë nga Iniciativa Rinore për të Drejtat e Njeriut nga Serbia, shumica e të cilëve e vizitonin Kosovën për herë të parë.
Gjatë takimit me kryetarin Ahmeti studentët diskutuan lidhur me tema të ndryshme, kryesisht politike, ku në fokus të diskutimeve ishte tema e marrëdhënieve ndërshtetërore midis Kosovës dhe Serbisë.
Kryetari Ahmeti tha se "nuk është kundër dialogut në parim, por kundër dialogut pa parime. Në kushtet kur Kosova ka probleme të shumta me sistemin e drejtësisë dhe korrupsionin, ndërsa Serbia ende nuk është ballafaquar me të kaluarën e saj, dialogimi midis dy shteteve që nuk janë normalizuar përbrenda, është i gabuar".
Sipas tij, Serbia fillimisht duhet të marrë përsipër të kaluarën e saj dhe të njohë pavarësinë e Kosovës, në mënyrë që të krijohen parakushtet për dialogim.
Integrim i mirëfilltë, sipas Ahmetit, është integrimi socioekonomik.
Kryetari Ahmeti i informoi studentët e pranishëm se garën për kryetar të komunës së Prishtinës e kishte bërë duke u mbështetur në një fushatë të qëndrueshme, kryesisht të bazuar në rrjetet sociale dhe me ndihmën e vullnetarëve dhe se suksesi sipas tij, ishte pikërisht fakti se fushata ka qenë e përqendruar në kërkesat dhe nevojat e qytetarëve./KosovaPress/