Kryetarja e Bordit të Vetëm të
Zgjidhjes takon guvernatorin e BSH

Kryetarja e Bordit të Vetëm të<br />Zgjidhjes takon guvernatorin e BSH
Me ftesë të Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, zhvilloi një vizitë zyrtare në Shqipëri, Kryetarja e Bordit të Vetëm të Zgjidhjes (Single Resolution Board -SRB), Elke König.

Në takimin e zhvilluar në Bankën e Shqipërisë merrnin pjesë Guvernatori, Sejko, Zëvendësguvernatoret,  Elisabeta Gjoni dhe Natasha Ahmetaj si dhe Denada Prifti, anëtare e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë dhe njëherësh eksperte pranë Bordit të Vetëm të Zgjidhjes.

Ky takim u zhvillua në kuadër të procesit të nisur nga Banka e Shqipërisë për rishikimin e kuadrit ligjor ekzistues, që synon përmirësimin dhe përafrimin e tij me standardet e Direktivës 2014/59 të Bashkimit Evropian, për vendimmarrjen mbi rimëkëmbjen e bankave në vështirësi.

Gjatë këtij takimi, Sejko bëri një ekspoze të zhvillimeve ekonomiko-financiare në vend dhe rolit të Bankës së Shqipërisë për ruajtjen e stabilitetit financiar të vendit.  Duke u ndalur te zhvillimet në sektorin bankar, Guvernatori theksoi se ky sektor është i mirëkapitalizuar dhe likuid, me parametra të shëndoshë financiarë.

Në veçanti, Guvernatori u ndal mbi punën e bërë nga Banka e Shqipërisë për përmirësimin e kuadrit ligjor lidhur me sistemin bankar. Nisur nga vlerësimet e kryera nga vetë Banka e Shqipërisë, por duke marrë parasysh dhe rekomandimet e partnerëve ndërkombëtarë, është gjykuar e nevojshme të kryhen përmirësime në kuadrin ligjor ekzistues me qëllim që t’u mundësojë autoriteteve në të ardhmen instrumentet e nevojshme ligjore për menaxhimin e situatave të vështira në sektorin financiar.

König shprehu pikëpamjet e saj mbi arritjet në vitin e parë të punës të Bordit të Vetëm të Zgjidhjes dhe mbi pritshmëritë e tij për të ardhmen, para se ai të marrë kompetenca të plota më 1 janar 2016 në lidhje me trajtimin e bankave në situata të jashtëzakonshme. Ky institucion, është shtylla e dytë e Unionit Bankar Evropian në vijim të mekanizmit të vetë mbikëqyrës (shtylla e parë).

Në vizitën e saj në Bankën e Shqipërisë, Konig zhvilloi një takim dhe me përfaqësues të departamenteve kryesore të Bankës së Shqipërisë dhe Agjencisë së Sigurimit të Depozitave. Ajo ndau me pjesëmarrësit eksperiencën e Bashkimit Evropian për krijimin e Bordit të Vetëm të Zgjidhjes.

Gjatë qëndrimit të saj në Tiranë, König zhvilloi takime dhe me Ministrin e Financave, Shkëlqim Cani dhe Ambasadoren e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Romana Vlahutin. Gjatë këtyre takimeve u diskutua mbi reformat kryesore të Shqipërisë për përafrimin me standardet evropiane dhe rolin e kuadrit rimëkëmbës në ruajtjen e stabilitetit financiar. Dr.Elke König është Kryetare e Bordit të Vetëm të Zgjidhjes (SRB). Më parë ajo ka qenë Presidente e Autoritetit Federal të Mbikëqyrjes Financiare në Gjermani (Bundesanstalt für Finanzdienstleistungsaufsicht – BaFin).

Redaksia Online
(f.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

Zyrtarë të Ambasadës së SHBA takohen me kreun e AMP, Sulejmani: Mirënjohje për mbështetjen e dhënë

Zyrtarë të Ambasadës së SHBA takohen me kreun e AMP, Sulejmani: Mirënjohje për mbështetjen e dhënë