TIRANE – Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KSHH) ka kërkuar që procedurat e reja për tërheqjen e pensioneve të mos cënojnë të drejtat e pensionistëve. Nga verifikimet e KSHH rezulton se pensionistëve do t’u caktohet një datë dhe orë fikse në të cilën mund të tërheqin pensionin. Nëse ata nuk do të mund të paraqiten në momentin e caktuar, “do të duhet të provojnë me dokumente shkresore që kanë qenë të sëmurë ose kanë pasur arsye të tjera”.

KSHH është e mendimit se “kjo rregull kapërcen masën e të drejtën për organizimin e punës së shpërndarjes së pensioneve dhe cenon drejtpërsëdrejti të drejtën e pensionistëve për të përfituar pensionin që u takon”.

KSHH theksoi në një njoftim se “Instituti i Sigurimeve Shoqërore dhe të gjithë subjektet që ai ka kontraktuar për të shpërndarë pensionet, duhet të kuptojnë, më mirë se deri tani, se janë në shërbim të pensionistëve, të cilët kanë të drejtë të tërheqin rregullisht, dhe periodikisht çdo muaj, pensionet e tyre. Kjo e drejtë ju buron nga kontributet financiare shumë vjetore që kanë derdhur”.

“Mënyra se si sillemi dhe trajtojmë pensionistët dhe moshën e tretë në përgjithësi, është një nga treguesit e nivelit të zhvillimit kulturor, human e demokratik të shoqërisë sonë”, përfundon reagimi i Komitetit Shqiptar të Helsinkit.

(im/shqiptarja.com)