Sipas arsyetimit për rikthimin në Kuvend presidenti thekson se skema e zgjedhur për kompensim nuk është aspak e drejtë pasi nuk reflekton çmimin e tregut. Kreu i shtetit nënvizon se skema e ofruar përmes këtij Ligji për trajtimin e dosjeve të patrajtuara apo ato që do të depozitohen rishtazi pas hyrjes në fuqi të ligjit bie ndesh me parimin kushtetues të sigurisë juridike, të barazisë para ligjit dhe të së drejtës së ankimit. Presidenti arsyeton se ky ligj bie ndesh ndër të tjera edhe me Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut, Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe jurisprudencën me fuqi detyruese të Gjykatës Kushtetuese dhe për këtë i ka kërkuar Kuvendit ta rishqyrtojë edhe njëherë.
Ndërsa Topalli, në relacionin e saj argumenton se duhet shtyrë afati i funksionimit të AKKP-së, deri në fund të vitit 2016. Sipas Topallit qeveria ka dështuar gjatë këtyre dy viteve me procesin e njohjes, kthimit apo kompensimit të pronave. “Qeveria ka dështuar gjatë këtyre dy viteve tërësisht me procesin e njohjes, kthimit apo kompensimit të pronave, duke mos bërë pothuajse asnjë hap përpara në këtë proces.
Duke mos zgjatur afatin e parashikuar nga neni 24 i ligjit, Qeveria duket sikur legjitimon mungesën tërësore të punës së stafit të AKKP edhe për muajt në vijim. Në këto kushte, lind si domosdoshmëri shtyrja e afatit të përfundimit të procesit të njohjes, kthimit dhe kompensimit të pronave përtej datës 30.10.2015, të parashikuar në ligjin nr.9235, datë 29.7.2004, "Për kthimin dhe kompensimin e pronave të ish-pronarëve", të ndryshuar, duke përcaktuar si datë të përfundimit të tij datën 30.10.2016," thotë Topalli. Es.Ko.
“Paqja”, Topalli takim të përzemërt me Xhafajn dhe Braçen
Ky sesion parlamentar ka nisur mirë për të dy anët e parlamentit, ku korridori ndarës mes krahut të majtë dhe të djathtë u mbush me shtrëngime duarsh, buzëqeshje, përqafime e përshëndetje. Në këtë ditë, kolegët ligjvënës janë takuar pas një shkëputje gati një mujore për pushimet dimërore. Ajo që u vu re, ishte një takim me përzemërsi të pazakonte mes ish-kryeparlamentares Jozefina Topalli, me kryetarin socialit të Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj.
Një shtrëngim i gjatë duarsh, i shoqëruar me buzëqeshje të gjatë dhe një diskutim i përzemërt në këmbë për disa minute. Këtij “armëpushimi” mes mazhorancës dhe opozitës i është bashkuar dhe kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Erjon Braçe. Edhe ky i fundit i ka dhënë dorën Topallit dhe ka biseduar disa minuta me të në një bisedë të qetë, ndryshe nga natyra e përhershme e dialogut parlamentar mes tyre. Po ashtu ministrat kanë zbritur nga karriget për të takuar deputetët e tjerë.
Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 19 janar 2016
Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)