Kthimi i ligjit që ndan Shqipërinë në 4 rajone, Balla: Argumentet e Metës të pabazuara në Kushtetutë

Kthimi i ligjit që ndan Shqipërinë në 4 rajone, Balla: Argumentet e Metës të pabazuara në Kushtetutë

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka komentuar kthimin për rishqyrtim në Kuvend nga Presidenti Meta të ligjit “Për Zhvillimin Rajonal dhe Kohezionin”.

Përmes një postimi në rrjetet sociale Balla deklaroi se argumentet e Presidentit Meta nuk qëndrojnë dhe nuk janë të bazuara në asnjë dispozitë konkrete kushtetuese.

Kujtojmë se presidenti Ilir Meta ktheu për rishqyrtim në Kuvend të ligjin nr. 102/2020 “Për zhvillimin rajonal dhe kohezionin”.

"Ky ligj, me përmbajtjen e miratuar, nuk mund të bëhet kurrsesi pjesë e legjislacionit të Republikës së Shqipërisë", deklaronte Meta. Sipas kreut të shtetit, ligji që parashikon ndarjen e Shqipërisë në 4 rajone, synon kontrollin e pushtetit vendor nga Këshilli i Ministrave, duke prekur decenatralizimin.

Postimi i plotë:

LBPD vazhdon avazin e vjetër 7x7=42, duke ngritur balonë-tabakë në ajër për çështje që as nuk marrin mundimin të thellohen e të lexojnë.

Në përgjigje të gënjeshtrave të LBPD por edhe të dekretit të Opozitës Presidenciale për të  kthyer për rishqyrtim në Kuvend, Ligjin 102/2020 “Për Zhvillimin Rajonal dhe Kohezionin”, bazuar në argumentet që synojnë të justifikojnë këtë qëndrim të Presidentit, sqarojmë më se gënjeshtrat dhe si dhe gjoja-arsyetimet nuk qëndrojnë dhe nuk janë të bazuara në asnjë dispozitë konkrete kushtetuese.

Së pari, në kushtet e hapjes së negociatave për të qenë vend anëtar në Bashkimin Evropian, Shqipëria duhet të përgatitet për aksesuar, menaxhuar dhe përthithur fondet në dispozicion (si ato IPA aktualisht dhe fondet strukturore së shpejti). Për këtë arsye ka nevojë për një kornizë legjislative që lejon zbatimin e dispozitave specifike, një kuadër institucional dhe kapacitet administrativ, ku përcaktohen detyrat dhe përgjegjësitë e qarta të të gjitha organeve dhe institucioneve të përfshira dhe ku sigurohet një koordinim efikas ndërministror, kapaciteti i programimit me të cilin vendi mund të hartojë një plan zhvillimi, ka procedurat e duhura për programimin shumëvjeçar të shpenzimeve buxhetore dhe siguron zbatimin e parimit të partneritetit në fazat e ndryshme të programimit, financimit , monitorimit dhe vlerësimit.

Së dyti, i ftoj të thellohen edhe LBPD edhe Opozitën Presidenciale në informacionin si më poshtë:

▶Ligji për Zhvillimin Rajonal dhe Kohezionin ka si objekt të tij përcaktimin e parimeve bazë, përgjegjësive dhe rregullave për zhvillimin rajonal dhe kohezionin në Republikën e Shqipërisë. Ligji synon të përcaktojë: instrumentet e posaçme dhe kuadrin institucional e financiar; kuadrin strategjik; të sigurojë bashkërendimin dhe harmonizimin e strategjive sektoriale në një politikë të përbashkët zhvillimore rajonale, të mbështetur me buxhetin përkatës.

▶Zhvillimi rajonal në Republikën e Shqipërisë, deri me sot mbetet i pa rregulluar me ligj. Mungesa e një kuadri të mirëfilltë ligjor, që adreson të gjitha aspektet e zhvillimit rajonal si nga pikëpamja institucionale, programuese, menaxhuese, etj., ka bërë që edhe këto masa të marra në funksion të zhvillimit rajonal të jenë të copëzuara dhe jo të integruara.

▶Në këtë kuptim, ekziston një mbivendosje e kompetencave midis organeve të ndryshme të administratës shtetërore në lidhje me aspektet buxhetore e financiare që adresojnë zhvillimin rajonal. Kjo kryesisht ka të bëjë me mbivendosjen e kompetencave të Komitetit për Zhvillimin e Rajoneve, Fondit Shqiptar të Zhvillimit dhe me sektorëve e departamenteve të Ministrive të caktuara që janë përgjegjëse për disa aspekte zhvillimore që i realizojnë përmes ekzekutimit të drejtpërdrejtë të burimeve të financimit. Ministritë e linjës adresojnë në një qasje tërësisht sektoriale problematikat që lidhen më zhvillimin dhe dimensioni territorial mungon në to, duke çuar shpesh në mungesë të koordinimit te masave  dhe efikasitetit të përdorimit të fondeve.

▶Aktualisht nuk ka kritere të unifikuara për alokimin e buxheteve të planifikuara dhe të caktuara për zhvillimin rajonal në Buxhetin e Republikës së Shqipërisë. Sipas disa praktikave të deritanishme dhe parashikimeve në ligjet vjetore të buxhetit, kriteret për shpërndarjen e fondeve për zhvillimin e rajoneve, i lihen në kompetence Komitetit të Zhvillimit të Rajoneve apo organeve drejtuese kolegjiale të entiteteve që ngarkohen si agjenci zbatuese për këto fonde ( psh Fondit Shqiptar te Zhvillimit) Pra, mungon një strategji dhe program kombëtar për të unifikuar qasjen në shpërndarjen e fondeve për stimulimin dhe/apo mbështetjen e zhvillimit rajonal.

▶Mungesa e kornizës ligjore reflekton edhe mungesën e një kornize institucionale të përshtatshme për t’i shërbyer qëllimit të sinkronizimit, harmonizimit dhe koordinimit të veprimtarive dhe fondeve të organeve të administratës shtetërore, në mënyrë që të arrihet një efekt sinergjik nga investimet në zhvillimin e rajoneve me specifika të veçanta.

▶Veç kësaj, në kushtet e hapjes së negociatave për të qenë vend anëtar në Bashkimin Evropian, Shqipëria duhet të përgatitet për aksesuar, menaxhuar dhe përthithur fondet në dispozicion (si ato IPA aktualisht dhe fondet strukturore së shpejti). Për këtë arsye ka nevojë për një kornizë legjislative që parashikon një kuadër institucional dhe kapacitet administrativ, ku përcakton detyrat dhe përgjegjësitë e qarta të të gjitha organeve dhe institucioneve të përfshira dhe ku sigurohet një koordinim efikas ndërministror, përcakton detyrimet për ngritjen e kapacitete e te programimit nëpërmjet te cilave vendi mund të hartojë një plan zhvillimi, përcaktohen procedurat e duhura për programimin shumëvjeçar të shpenzimeve buxhetore dhe sigurohet zbatimi i parimit të partneritetit në fazat e ndryshme të programimit, financimit, monitorimit dhe vlerësimit.

▶Në këto kushte, lindi nevoja për të përcaktuar një kornizë ligjore dhe institucionale për krijimin e një sistemi për administrimin e një politike të ekuilibruar të zhvillimit rajonal, si dhe për përdorimin e koordinuar dhe të udhëhequr të fondeve të balancuara të zhvillimit rajonal. Kjo kornizë ligjore dhe institucionale është gjithashtu e nevojshme për lidhjen, unifikimin, sinkronizimin dhe përdorimin transparent (në përputhje me kriteret dhe përparësitë) e fondeve të zhvillimit rajonal si nga buxheti i shtetit ashtu edhe nga donatorë të ndryshëm.

▶Ligji për Zhvillimin Rajonal dhe Kohezionin së bashku me dokumentet e tjera në zbatim të tij, përbëjnë një hap thelbësor drejt të ardhmes bazuar mbi një qasje të avancuar që përfaqëson zbatimin e politikës së zhvillimit rajonal  sipas modeleve më të mira ndërkombëtare  të BE-së, të themeluar mbi parimet e subsidiaritetit dhe qeverisjes së mirë udhëhequr nga partneriteti.

Në përgjigje të argumenteve të referuara nga Opozita Presidenciale në Dekret sqarojmë si më poshtë:

1. Argumenti i përmbledhur i IM:

Qëllimi i qeverisë përmes këtij ligji është përqendrimi dhe kontrolli i pushtetit vendor nga aparati i Këshillit të Ministrave, ndërkohë që pushteti vendor sipas Kushtetutës duhet të funksionojë i decentralizuar dhe autonom në veprimtarinë e tij (neni 13 i Kushtetutës).

Pse nuk qëndron ky argument? 

Konstatojmë se qëllimisht ose për shkak te paditurisë, ngatërrohet qëllimi dhe objektivat e Ligjit për Zhvillimin Rajonal dhe Kohezionin me aspektet e decentralizimit dhe autonomisë lokale.

Në linjë me parimet e politikes se kohezionit te BE-se, ligji synon të adresoj problemet e zhvillimit të qëndrueshëm dhe kohezionin socio-ekonomik nëpërmjet ngritjes se një sistemi për te garantuar planifikimin, zbatimin dhe monitorimin me te mire e më me eficiencë te FONDEVE QE QEVERIA QENDRORE INVESTON PER ZHVILLIMIN (deri me tani kjo gjë është realizuar nëpërmjet instrumentit te fondit te zhvillimit te rajoneve/sipas përcaktimeve qe parashikonte përgjithësisht anekset 3 te ligjeve vjetore te buxhetit) dhe fondeve te tjera te copëzuar mes ministrive te linjës. Pra duhet te kuptohet qe kemi te bëjmë me një politike kombëtare.

Për here te pare, nëpërmjet parashikimeve të këtij ligji , behën në mënyrë të qenësishme pjese e rëndësishme  e sistemit të politikes së zhvillimit rajonal, njësitë e vetëqeverisjes vendore si organet kryesore që sigurojnë ngritjen e Bordeve të Monitorimit të Zhvillimit Rajonal, të cilat kane në përgjegjësinë e tyre hartimin dhe dakordësimin e planeve rajonale dhe dakordësimin e prioriteteve të zhvillimit të rajoneve përkatëse. Përbërja e Bordeve të Monitorimit të Zhvillimit Rajonal do jete nga të gjithë kryetaret e bashkive përbërës te rajonit zhvillimor dhe kryetaret e qarqeve (nuk ka përfaqësi të qeverisë qendrore në bordet rajonale të monitorimit) si dhe perfaqesues të shoqërisë civile dhe partnereve të tjerë të zhvillimit në rajon (përfaqësues të biznesit, institucioneve kërkimore shkencore, mediave lokale e rajonale, etj.).

Risi në këtë qasje është edhe dokumenti i Programit Operacional, i cili është parashikuar si një dokument buxhetor 7-vjecar që tejkalon mandatin e nje qeverie dhe hartohet me kontributin dhe pjesëmarrjen e Bordeve te Monitorimit te Zhvillimit Rajonal për të mundësuar shpërndarjen e investimeve në territor.  Pra, me Ligjin “Për Zhvillimin Rajonal dhe Kohezionin”, jo vetëm qe nuk synohet që të merren  nga pushteti vendor as funksione e as të ardhura, por përkundrazi Ligji synon qe edhe investimet qe aktualisht bëhen nëpërmjet Fondit të Zhvillimit të Rajoneve të programohen më mirë dhe të adresojnë  prioritetet dhe nevojat që bashkitë e qarqet, apo edhe aktorët e tjerë të zhvillimit kanë. Këta të fundit do të jenë njëkohësisht përfituesit dhe zbatuesit e fondeve. Në këtë mënyrë,  Ligji synon të mundësojë ngritjen e kapaciteve të aktorëve lokalë e rajonalë për të aksesuar më shumë fonde jo vetëm nga buxheti i shtetit por edhe nga BE e donatorë të tjerë,  për t’i përdorur e menaxhuar më mirë ato në përputhje me kushtet qe parashikojnë politikat e këtyre donatoreve.

2. Argumenti i përmbledhur i IM referon se ligji i miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë, bie hapur ndesh me disa dispozita të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, me parashikimet e ligjit nr. 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”, i ndryshuar dhe ligjit nr. 115/2014 “Për ndarjen administrativo- territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë”, me argumentin se Këshillit të Ministrave përmes këtij ligji i jepet autoritet që të vendosë se cilat do të jenë 4 (katër) rajonet e zhvillimit dhe kufijtë e tyre. Por e drejta për të vendosur mbi kufijtë e njësive administrative territoriale i takon vetëm Kuvendit të Shqipërisë, i cili mund ta bëjë këtë vetëm mbi bazën e asaj që përcakton Kushtetuta.

Pse nuk qëndron ky argument:

Bazuar ne nenin 4, pika 1 dhe 2 e Ligjit “ Për zhvillimin rajonal dhe kohezionin” parashikohet se:

1.    Territori i Republikës së Shqipërisë ndahet në katër rajone zhvillimi.

2.    Rajonet e zhvillimit janë territoret për të cilat hartohet, zbatohet dhe vlerësohet politika kombëtare për zhvillimin dhe kohezionin rajonal. Rajonet e zhvillimit nuk janë njësi administrative, në kuptim të legjislacionit në fuqi për vetëqeverisjen vendore.

Pra, Ligji nuk merr përsipër të bëjë ndarje në rajone administrativo - territoriale por parashikon krijimin e 4 zonave/ territoreve/ rajoneve zhvillimore JO ADMINISTRIATIVE, të cilat shërbejnë si bazë për menaxhimin e politikës kombëtare të zhvillimit rajonal.

Sqarojmë se në Shqipëri, si dhe në shumë vende të Evropës, përtej ndarjes administrative-territoriale përdoren dhe klasifikime të tjera, të njohura ndryshe si rajone zhvillimi, rajone ekonomike, rajone statistikore etj.  Kështu, për referencë Shqipëria është e ndarë në tre rajone statistikore – NUT 2, me VKM “Vendim Nr. 1037, datë 15.12.2010” botuar në fletoren zyrtare Nr.183.

Veç kësaj, Ligji parashikon krijimin e Bordeve të Monitorimit të Zhvillimit Rajonal për secilën prej këtyre zonave zhvillimore, të përbërë vetëm nga aktorët lokalë të zhvillimit: nga kryetarët e bashkive dhe të qarqeve dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile, medias, biznesit, sindikatave, institucioneve kërkimore shkencore, etj. Krijimi i këtyre Bordeve, bëhet në linje me logjiken e pikës 4 te nenit 109 te Kushtetutës i cili thotë:  “Organet e njësive të qeverisjes vendore kanë të drejtë të formojnë bashkime dhe institucione të përbashkëta me njëri tjetrin për përfaqësimin e interesave të tyre, të bashkëpunojnë me njësitë vendore të vendeve të tjera, si dhe të përfaqësohen në organizatat ndërkombëtare të pushteteve vendore.”

 

 

3. Argumenti i përmbledhur i IM:

Ky akt ligjëron ushtrimin e pushtetit politik të pakontrolluar mbi qeverisjen vendore, çka thellon edhe më shumë krizën e rëndë politike dhe kushtetuese në të cilën ndodhet sot vendi ynë.

Ky akt, miratuar njëkohësisht me ndryshimet Kushtetuese dhe ato në Kodin  Zgjedhor, synon parapërgatitjen e forcës qeverisëse për të centralizuar të gjitha burimet financiare dhe ekonomike në ato zona që u nevojiten, për dhënien e përparësive politike.

Miratimi i ligjit nr. 102/2020, krijon struktura paralele, vetëm për të rritur pushtetin politik të qeverisë dhe për të kontrolluar çdo vendimmarrje deri në nivel vendor, duke anashkaluar parashikimet dhe organet e përcaktuara nga Kushtetuta, çka tregon qartë se qëllimi i këtij ligji është në kundërshtim me rendin shoqëror demokratik në Republikën e Shqipërisë dhe krejtësisht i panevojshëm për realitetin e vendit.

Në lidhje me këtë argument:

Ritheksojmë se: Ligji synon të krijojë një qasje koherente e sistematike në linjë me parimet e praktikat më të mira të BE-së për ofrimin e politikës së zhvillimit rajonal, e cila është një POLITIKE KOMBËTARE e SHPERNDARJES së INVESTIMEVE dhe NDËRHYRJEVE në TERRITOR, me qëllim nxitjen e zhvillimit social-ekonomik dhe reduktimin e pabarazive.

Njësitë e vetëqeverisjes vendore dhe aktorët e tjerë të zhvillimit social ekonomik, nëpërmjet këtij ligji bëhen pjesë e qenësishme në hartimin, menaxhimin, zbatimin dhe monitorimin e kësaj politike.

Për zbatimin e kësaj politike nuk parashikohet të ngrihet asnjë institucion i ri por krijohet hapësira ligjore që aktorët kyç të zhvillimit të jene pjesë aktive e me përgjegjësi të qarta në të gjithë këtë proces. Organet që ligji prezanton janë: (i) Komiteti Kombëtar për Zhvillimin Rajonal dhe Kohezionin (i cili në thelb do të zëvendësoje atë që ekziston aktualisht si Komiteti për Zhvillimin e Rajoneve) dhe (ii) Bordet e Monitorimit të Zhvillimit Rajonal që në linjë me parimin e partneritetit mundësojnë përfshirjen e pushtetit lokal dhe aktorëve të tjerë të zhvillimit në hartimin, zbatimin dhe monitorimin e kësaj politike. Këto dy organe, nuk janë institucione të mirëfillta me personel  e organike,   por organe ndërinstitucionale (përfshirë edhe ato te vetëqeverisjes vendore)  qe operoje për ato kompetenca që u janë ngarkuar, dhe që asistohen nga Fshzh si sekretariat teknik, duke shmangur në këtë mënyrë kostot buxhetore të funksionimit të tyre.

Gjithashtu vlen te theksohet se Ligji, Raporti i Vlerësimit të Ndikimit dhe Relacioni Shpjegues është hedhur për konsultim në regjistrin elektronik të konsultimeve publike online, në datë 6 Mars 2020 dhe ka kaluar paralelisht në një proces të gjerë diskutimi po online me organet e vetëqeverisjes vendore dhe shoqatat përkatëse të tyre. Janë kontaktuar te 61 bashkitë e vendit, 12 qarqet dhe tre shoqatat që përfaqësojnë interesat e tyre, ju është dërguar materiali dhe janë administruar komentet. Ndërkohë janë organizuar takime online me to ne baze rajonesh. Gjithashtu projektligji është konsultuar me Ministritë e Linjës dhe institucionet si më poshtë: (i)Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale; (ii) Ministria e Mbrojtjes; (iii) Ministër Shteti pёr Mbrojtjen e Sipёrmarrjes; (iv) Ministria e Drejtësisë; (v) Ministria pёr Evropën dhe Punёt e Jashtme; (vi) Ministria e Kulturёs; (vii) Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisё; (viii) Ministria e Financave dhe Ekonomisё; (ix) Ministria e Turizmit dhe Mjedisit; (x) Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural; (xi) Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë; (xii) AKSHI. Komentet dhe sygjerimet e institucioneve, bashkive dhe shoqatave janë reflektuar në versionin e rishikuar të projektligjit

Ligji për Zhvillimin Rajonal dhe Kohezionin së bashku me dokumentet e tjera në zbatim të tij, përbëjnë një hap thelbësor drejt të ardhmes bazuar mbi një qasje të avancuar që përfaqëson zbatimin e politikës së zhvillimit rajonal  sipas modeleve më të mira ndërkombëtare  të BE-së, të themeluar mbi parimet e subsidiaritetit dhe qeverisjes së mirë udhëhequr nga partneriteti.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Rusia anashkalon sanksionet perëndimore, fillon përdorimin e Bitcoin në tregtinë ndërkombëtare

Rusia anashkalon sanksionet perëndimore, fillon përdorimin e Bitcoin në tregtinë ndërkombëtare