Vendimi i sotëm i Gjykatës së Lartë për vulën e PD-së prish vendimin e Apelit dhe ngarkon Gjykatën e Apelit me zgjidhjen në themel të Çështjes.

Nuk është as më shumë dhe as më pak, qëndrimi dhe kërkesa që PD-ja zyrtare ka mbajtur dhe ka kërkuar.

"Gjatë shqyrtimit në Apel, Partia Demokratike kërkoi shqyrtimin në themel të çështjes dhe zgjidhjen përfundimtare të saj nga ajo gjykatë, gjë që nuk u mor parasysh.

Pikërisht ky vendim i Gjykatës së Lartë, krijon kushtet për zgjidhjen e shpejtë dhe përfundimtare të çështjes", thotë PD zyrtare në interpretim të këtij vendimi.

Është për t’u ritheksuar se vendimi i sotëm sipas PD zyrtare 'nuk cenon në asnjë formë legjitimitetin (siglën, vulën, kryetarin e PD-së) dhe funksionimin e PD-së, e cila vijon riorganizimin e saj të brendshëm, përgatitjen e platformës dhe programit politik të saj, identifikimin dhe propozimin e kandidatëve për deputetë dhe përgatitjen për zgjedhjet e ardhshme parlamentare'.

Megjithatë vendimi i Gjykatës së Lartë këtë të mërkurë, nuk i jep fund konfliktit 2 vjeçar se kujt i përket vula e Partisë Demokratike. Saga do të vijojë pasi Gjykata e Lartë detyron Apelin të marrë vendim në themel për vendimin e mëparshëm të Agron Zhukrit që njohu të ligjshëm Kuvendin e Berishës dhe më pas të shprehet nëse është i drejtë apo i gabuar.