Kthimi në shtëpi i Olen Çezarit

Kthimi në shtëpi i Olen Çezarit
TIRANE - Koncerti që  violinisti virtuoz Olen Çezari organizoi në Pallatin e Kongreseve në Tiranë së bashku me International Clandestine Orchestra, ishte një koncert i përgatitur dhe punuar me shumë dashuri. Ai shkruante  ne faqen e  tij në Facebook se “nuk ka asgjë që ma mbush zemrën më tepër se sa të luaj përpara publikut më të shtrenjtë për mua, përpara publikut  shqiptar”.

Olen Çezari nisi të studiojë Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë kur ishte 10 vjeç duke u konsideruar si një rast i jashtëzakonshëm. Por jo vetëm kaq, kur ishte 14 vjeç përfundoi Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë, ndërsa në moshën 17 vjeç kreu Konservatorin Santa Cecilia në Romë. 

“Per te gjithe shqiptaret: Ju Dua! Falemimderit per interesin kaq të madh ndaj koncertit!”, shkruan Oleni. Pjeswtarë të grupit të tij janë Matteo Di Francesco – Drums,  Gabriele Gagliarini – Percutions, Paolo Cozzolino – Bass,  Michael Rodi – Piano, Lavinia Mancusi – Vocal,  Alessandro Aloisi – Sound Engenier. Së bashku me Olen Çezarin dhanë një koncert të paharruar.
 
Olen, jeni rritur me “nofkën” e gjeniut. Si ka ndikuar kjo në jetën tuaj?
Të them të drejtën ka qenë një “nofkë” që e kam vuajtur. Kur jetoja në Shqipëri konsiderohesha si “një njeri i sëmurë” ose “jo normal”. Pra, ndihesha si një alien. Jeta ishte si zbor. Nga mëngjesi deri në mbrëmje studioja violinë pa pushim.

Nuk kisha mundësi të luaja futboll me shokët e lagjes në Durrës, megjithëse ata më ftonin vazhdimisht. Kur isha 10 vjeç fillova Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë, si një rast i jashtëzakonshëm. Atje ishin alienë të tjerët , sepse studentët ishin 19-23 vjeç. Gjithesesi, nofka gjeniu pati një ndikim pozitiv, pasi dëshmoi vullnetin dhe studimin rigoroz, por disa herë edhe më tronditi pasi u përballa me shumë xhelozi në Shqipëri. Ana e bukur e kësaj medalje ishte nxitja  për të ecur sa më përpara dhe sa më shpejt drejt objektivave .

Ju shkuat për herë të parë në Romë në vitin 1989, atëherë kur shqiptarët numëroheshin me gishtat e duarve. Cili ishte impakti juaj i parë me “qytetin e përjetshëm” ?
Si një Alien që zbret në det lakuriq. Dua të shpjegohem më mirë. Bursa që qeveria komuniste më jepte ishte sa qiraja e dhomës në Romë. Konkursi për të hyrë në Konservator ishte në qershor, kurse bursa fillonte në nëntor kështu që fondet mbaruan mbas 4 ditesh dhe kur pashë nënën time duke qarë, sepse nuk kishim më lekë, mora violinën dhe dola në sokak.

Nisa të luaj për turistët në sheshet e Romës dhe kjo ishte një mrekulli e vërtetë. Më në fund, siguronim lekë pa problem. Më pas, kur nisa Konservatorin gjithçka ndryshoi përgjithmonë sepse filluan koncerte klasike, konkurset etj. Në atë periudhë italianët pothuajse nuk i njihnin shqiptaret, përveç puliezëve dhe kalabrezëve që kishin lidhje. Në atë kohë, në Romë ndoshta studionin 20 shqiptarë gjithsej, në të gjitha degët.
 
Adoleshenti nga Shqipëria e panjohur e asaj kohe mbetet gjithsesi violinisti më i ri i diplomuar në historinë e Konservatorit Santa Cecilia, që në mos gaboj ka një histori me shumë se 200 vjeçare…
Besoj edhe i Tiranës (qesh). Kur isha 14 vjeç përfundova Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë, ndërsa në moshën 17 vjeç Konservatorit Santa Cecilia në Romë. Kujtoj se, niveli teknik që unë arrija ishte shumë i lartë për italianët, kurse niveli muzikal ishte shumë më i dobët sepse duke jetuar i mbyllur në një akuarium nuk e kupton se ekziston edhe Oqeani. Dua të jem më i saktë…

Përsa i përket teknikës Paganin Kapricio, ekzekutimi ishte perfekt kurse faktin se Vivaldi ishte një valle që kërcenin në Venecia vajzat murgesha , nuk e konceptoja akoma kështu që luaja në të njëjtën mënyrë Paganinin dhe Vivaldin … Kjo ishte pjesa më e rëndësishme muzikore me të cilën u edukova në Konservatorin e Romës. Njohja e kompozitorëve, ku dhe pse e kishin kompozuar atë pjesë hapte vizione të panjohura
 
Një moment i rëndësishëm në karrierën tuaj ka qënë eksperienca amerikane. Ishte kjo eksperiencë që ju vendosët të shtonin elementët e muzikës bashkëkohore në repertorin tuaj, nga ato jazz e deri tek muzika elektronike?
Në Amerikë u hapën horizonte krejt të tjera, sepse nuk mbaje me radhë vajguri, por radhën për të hyre ne Jazz Klub dhe të performoje me muzikantët e tjerë që gjendeshin aty. Çdo vend kishte muzikën e vet sëing, jazz, blouse, deri ne house e elektro, pa diference raciale. Pra, aty lindën sfidat e reja, njohja dhe dominimi i çdo zhanri muzikor, pa dallim

Në klubet e Nju Jork-ut, ku performonit, keni pasur mundësi të takoheni dhe të shkëmbeni eksperienca. Mund të veçoni ndonjë prej tyre dhe sa ju kanë ndihmuar ato në karrierën si muzikant i kompletuar?
Në Nju Jork pata fatin të njihem me Lanny Kravitz, një kitarist dhe një këngëtar i përkryer. Frekuentonim të njëjtin lokal nate për natë dhe ishim gjithmonë ortakë, kur bëheshin garat e blouse-it. Tashmë, ai është një artist me famë botërore!
 
Në Itali, keni bashkëpunuar me disa nga emrat më të spikatur të skenës muzikore, nga Lucio Dalla tek Anna Oxa dhe Franco Califano. Por, bashkëpunimin më të gjatë e keni me Sergio Cammariere, i njohur për elementët jazz të muzikës së tij. Është kjo një rrymë që ju tërheq më shumë se të tjerat?
Jo… Më tërheq mënyra se si Sergio i bie pianos . Autodidakt që nuk njeh notat e muzikës, por që është 6 orë në ditë sipër pianos, çdo ditë. Me Sergion bashkëpunoj nga viti 1995, por dua të them se secili nga emrat që ju cituar është nje kolos në Itali, kurse Lucio Dalla, është një legjendë. Kam fatin e madh që Lucio më la në duar një nga perlat e fundit te tij. Regjistroi për mua në diskun tim një kryevepër.

Gjithsesi, ju mbeteni një violinist i përkryer. Si i tillë, çfarë do të thotë në terma emocionalë dhe teknikë të kesh në duar një Stradivari origjinal, gjë që ju ka ndodhur personalisht?
Po, më ka ndodhur! Dhe e vetmja mënyrë që gjej ta shpjegoj është konfrontimi me një makinë Lada dhe me një Ferrari apo Audi të sotëm. Stradivari bie vetë. Ka kambio automatike. Përndryshe nuk do kishte atë çmim 2.000.000 euro
 
Keni jetuar më shumë në Itali se në Shqipëri, aq sa në disa komente ju cilësojnë si “artist italian”. Në të vërtetë, sa shqiptar dhe sa italian ndjeheni?
Shteti italian bën çdo përpjekje të promovojë artistët dhe kulturën në çdo kënd të botës dhe i trajton artistët e tij me një kujdes të veçantë. Kjo përkujdesje bën që të gjitha vështirësitë, lodhjet, pagjumësia, udhëtimet të kenë një shije tjetër në fund.

Më ka ndodhur të organizoj një koncert në një kryeqytet të rëndësishëm evropian, ku veç të tjerëve ftova edhe gjithë stafin e ambasadës shqiptare në atë vend, mes tyre dhe ambasadorin. Ditën e koncertit ishin prezent 28 pjeswtarë të ambasadës italiane dhe zero pjesëmarrës nga ambasada shqiptare. Gjithsesi, unë ndihem, pa problem, si një urë e këtyre dy popujve dhe dy kulturave dhe e kuptoj se gjërat po ndryshojnë.

Jeni lindur në Durrës. Çfarë kujtoni më shumë nga qyteti juaj?
Kujtoj gjëra që për shumë motive nuk i njoh, ose janë jashtë përdorimit. Kujtoj peshkun e Durrësit, muzeun arkeologjik me tw cilin mburreshim, amfiteatrin romak, me një vlerë të pakonsideruar historike, artistike dhe turistike…
 
Vendi juaj i preferuar në Shqipëri?
Bregdetiti nga kam edhe origjinën

Çfarë ju mungon më shumë nga Shqipëria dhe çfarë do të ndryshonit?
O.Ç Më mungon muzika popullore shqiptare. Është një listë pa fund, por me siguri do të kërkoja së pari që burokracia të lëvizte më shpejt dhe mentalitetin tek qytetarët shqiptarë që duhet të kuptojnë se më në fund janë të lirë të lëvizin nëpër Evropë.

Ndryshimin duhet ta bëjë së pari klasa politike, që duke i shtrirë dorën për marrëveshje njëra-tjetrës, mund arrijë integrimin e Shqipërisë në familjen europiane, me të gjitha kushtet si të gjithë të tjerët- të lirë në lëvizje dhe në punësim në gjithë Bashkimin Europian.
Olen Çezari














Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 24 Prill 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Mbledhja e qeverisë, 275 mijë familje dhe individë përfitojnë nga 15 mijë lekë shpërblim për fundvitin

Mbledhja e qeverisë, 275 mijë familje dhe individë përfitojnë nga 15 mijë lekë shpërblim për fundvitin