Më 2 janar Federata Shqiptare e Futbollit zyrtarizoi arritjen e marrëveshjes me Sylvinho-n që trajneri brazilian të drejtojë kombëtaren kuqezi si pasuesi i Edy Reja-s, por pa specifikuar shumë detaje të kontratës.
Ajo që u mësua fillimisht është se 48-vjeçari ka hedhur të zezën mbi të bardhë për 18 muaj, që përkon me fushatën eliminatore të Europianit 2024, objektivi i madh i Shqipërisë i shpallur vite më parë. Përsa i përket pagës së Sylvinho-s këtë herë ka një ndryshim të madh me paraardhësit e tij.
Për 18 muaj është fiksuar shifrat e 1.1 milionë eurove, por mund të zvogëlohet deri në 40% në rast se objektivi i Europianit nuk arrihet. Nëse ia del braziliani do përfitojë një bonus të majmë, por shifra ekzakte ende nuk është zbuluar. Të gjitha fitimet llogariten për stafin dhe jo vetëm për Sylvinho-n, ndërsa deri më tani mund të thuhet se braziliani do ketë një kontratë me përfitime sa dyfishi i Edy Reja-s.
Të hënën më 9 janar do bëhet edhe prezantimi zyrtar i Sylvinho-s, i cili sipas burimeve së bashku me stafin e tij do qëndrojë në Shqipëri gjatë gjithë periudhës që do drejtojë kombëtaren, ndryshe nga të gjithë paraardhësit. Sylvinho më herët ka drejtuar Lyon-in në Ligue 1 dhe Corinthiasin në Brazil, ndërsa ka qenë ndihmës i Titte-s te Brazili, por edhe i Mancinit te Interi.