KUBE - Ish lideri revolucionar i Kubës Fidel Kastro ka reaguar me anë të një letre duke mohuar sëmundjen e tij të mundshme, ku ka kritikuar ashpër mediat ndërkombëtare.

Me anë të një artikulli, 86 vjeçari sulmoi mediat ndërkombëtare për shpifje dhe i quajti ato gënjeshtare, ndërsa publikoi gjithashtu edhe foto të tijat.

Ai deklaroi se ishte në gjendje shumë të mirë shëndetësore, aq sa nuk e mbante mënd herën e fundit që kishte pasur dhimbje koke.

Ndërkohë gjatë ditës së dielë politikani Venezuelas Elias Jaua, deklaroi se, një ditë më parë kishte pasur një takim me Kastron, i cili kishte zgjatur rreth 5 orë. Ai bëri publike gjithashtu një foto të takimit, ndërsa u shpreh se ish lideri kubanez ishte në gjendje shumë të mirë dhe shumë i kthjellët.

Pamjet e fundit publike të Kastros përkojnë me muajin mars, kur ish lideri kubanez u takua me Papa Benediktin gjatë vizitës së papës në ishullin komunist.

Mungesa e gjatë e Kastros në publik, përhapi zërat nëpër mediat sociale se shëndeti i tij ishte përkeqësuar, apo edhe që mund të kishte vdekur.

Fidel Castro udhëhoqi Kubën pas revolucionit të vitit 1959, fillimisht si kryeministër nga viti 1959-1976 dhe më vonë si president. Që prej vitit 2008 Fidel Castro ia kaloi zyrtarisht pushtetin vëllait të tij Raul Kastro, i cili vazhdon të drejtojnë vendin që prej asaj kohe.

(ed.ka/Shqiptarja.com)