/ATSH/.- Ministri i Drejtësisë Hajredin Kuçi ka raportuar sot para komisionit për Legjislacion lidhur me procesin e përgatitjes së legjislacionit dhe kushtetutshmërisë së Gjykatës Speciale.
Sipas KosovaPress, ai tha se propozohet se selia e Gjykatës Speciale të jetë në Holandë, por ende nuk kanë marrëveshje me këtë shtet. Kurse dhomat e veçanta të Gjykatës, sipas tij, do të insistojnë të mbesin në Kosovë.
Komisioni kërkoi që ministri të japë detaje sa i përket një dokumenti konfidencial që kanë marrë, kurse ministri tha se, ky është dokument i Komisionit Evropian dhe jo i tyre.
Ai para anëtarëve të komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit, tha se do të kërkojnë që të ketë barazi për të gjithë qytetarët në këtë proces, pasi drafti i tanishëm nuk e garanton këtë barazi.
Kuçi ka propozuar që të dërgohen amandamentet në Gjykatën Kushtetuese, në mënyrë që kjo e fundit të jap pëlqimin sa i përket Gjykatës Speciale.
"Ne do të përpiqemi të ruhet imazhi i Kosovës dhe do të insistojmë që dhomat mos të jenë të ndara nga sistemi gjyqësor në Kosovë dhe jo jashtë vendit tonë", ka thënë ai.
Kurse, Albulena Haxhiu nga Vetëvendosje ka thënë se institucionet e Kosovës nuk kanë marrë asnjë hap për ta mbrojtur luftën e UÇK-së dhe themelimi i kësaj gjykate do të njollosë luftën e drejtë të UÇK-së. Sipas saj, nuk ka pse themelohet një gjykatë e tillë kur kjo nuk ka ndodhur në asnjë nga vendet që janë ndarë nga ish-Jugosllavia.