Një ngjarje e rëndë është shënuar mbrëmjen e sotme në aksin Fier–Kutalli. Një qytetar, teksa po shoqërohej nga policia drejt Komisariatit të Kuçovës, ka arritur t’i marrë armën një efektivi policie dhe ta plagosë atë.
Sipas informacioneve paraprake, autori i dyshuar është Zamir Skënderi, person i njohur për policinë, i skeduar më parë për përdorim dhe shpërndarje të lëndëve narkotike. Mësohet se ai ishte ndaluar në Fier dhe më pas po transportohej drejt Beratit nga efektivët e policisë së Kuçovës.
Gjatë shoqërimit në automjetin e policisë, dyshohet se Skënderi, nën efektin e lëndëve narkotike, ka arritur t’i marrë armën efektivit Arsen Toska dhe ta qëllojë atë në kofshë. Pas ngjarjes, ai ka tentuar të arratiset, por është neutralizuar dhe arrestuar nga efektivët që ndodheshin në mjetin tjetër të policisë.
Polici i plagosur u transportua fillimisht në Spitalin Rajonal të Beratit, ku mori ndihmën e parë në repartin e kirurgjisë. Më pas ai u dërgua drejt Spitalit Ushtarak në Tiranë për trajtim më të specializuar. Burime spitalore bëjnë me dije se ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
“Kuçovë/Informacion paraprak
Rreth orës 19:00, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kuçovë po kryenin shoqërimin e shtetasit Z. S., 45 vjeç, banues në Kuçovë, nga Komisariati i Policisë Fier drejt ambienteve të Komisariatit të Policisë Kuçovë, i dyshuar për veprën penale “Prishja e qetësisë publike”.
Gjatë shoqërimit, shtetasi Z. S, është konfliktuar me punonjësin e Policisë shtetasin A.T., 20 vjeç, dhe gjatë konfliktit i ka marrë armën e shërbimit punonjësit të Policisë dhe e ka plagosur.
Patrulla e Policisë e ka neutralizuar dhe i ka marrë armën shtetasit Z. S., ndërsa punonjësi i Policisë është transportuar për ndihmë mjekësore në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Gjatë kontrollit fizik, shërbimet e Policisë i gjetën të fshehur në trup një sasi lënde narkotike të dyshuar kokainë.
Grupi hetimor dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, nën drejtimin e Prokurorisë, po punojnë për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe për të verifikuar zbatimin e procedurave standarde të shoqërimit të personave nga ana e Patrullës së Policisë”, thuhet në njoftimin e policisë.
Lajmi në përditësim...
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë

Report Tv ka siguruar foton e 45-vjeçarit Zamir Skënderi, i cili ka plagosur policin Arsen Toska me armën e shërbimit të këtij të fundit. Skënderi po shoqërohej për në komisariat për prishtje të qetësisë publike ndërsa dyshohet të ketë qenë nën efektin e lëndëve narkotike. Ai rezulton të jetë skeduar dhe më parë nga policia për shpërndarje të lëndëve narkotike.
Komente









