Një person i copëtuar dhe i dekompozuar u gjet dje i groposur në fshatin Daullas të Fierit. Personi që mendohet se është K. Beqiri, është denoncuar si i zhdukur një vit më parë nga dy vëllezërit e tij. Sipas denoncimit të tyre në policinë e Fierit, vëllai i tyre është zhdukur duke mos lënë asnjë gjurmë, ndërkohë që personi i fundit me të cilin ka qenë, është një djalë nga fshati Daullas i Fierit. Pikërisht ky person, emri i të cilit nuk bëhet i ditur, është shoqëruar gjatë mesditës së djeshme dhe është marrë gjatë në polici, lidhur me zhdukjen e mikut të tij. Mësohet se ndaj këtij personi prokuroria e Fierit ka lëshuar urdhër-ndalimin. Pas arrestimit ka qenë pikërisht autori ai që ka treguar vendin ku kishte groposur personin që kishte vrarë me mjete të forta dhe më pas e ka copëtuar duke e groposur në të dalë të fshatit Daullas.

Viktima shok me autorin
Policia ka shkuar menjëherë te vendi që ka rrëfyer autori i dyshuar, ku kanë gjetur kufomën dhe pranë saj një valixhe bosh dhe një batanije. Policia ka bërë me dije se viktima dhe autori i dyshuar kanë qenë shokë. Ende nuk ka asnjë të dhënë mbi identitetin e viktimës megjithëse mendohet se ai është K.Beqiri. Policia e Fierit nuk është nxituar të japë emra, pasi është në pritje të aktit të ekspertimit mjeko-ligjor dhe të analizës së ADN, e cila do hedh dritë mbi identifikimin e plotë të viktimës. Sipas burimeve viktima ishte me origjinë nga Shkodra por jetonte në Tiranë me familjen e tij, ndërsa vitet e fundit mësohet se ishin transferuar me banim në Fier.

Dyshime për vjedhje
Në këtë krim janë krijuar dyshime të forta se autori dhe viktima mund të kenë marrë pjesë në disa vjedhje të realizuara në qytetin e Fierit dhe fshatrat e tij. Sipas hetuesve me sa duket këto vjedhje janë bërë shkak edhe për krijimin e konfliktit mes tyre, konflikt i cili mund të jetë përshkallëzuar deri në atë masë, sa dy shokët janë goditur me sende të forta, ku për pasojë ka gjetur vdekjen shtetasi K.Beqiri. Pritet që në ditët në vijim, policia e Fierit të dalë me një komunikatë për shtyp, lidhur me rrethanat e këtij krimi të rëndë.

d.b/shqiptarja.com