Specialistët pediatër shprehen se tendenca e nënave të reja për t’i ushqyer fëmijët me qumësht artificial bën që vogëlushët të priren drejt obezitetit.
Studimi më i fundit kombëtar i Institutit të Shëndetit Publik tregon se obeziteti i fëmijëve në Shqipëri arrin në nivelin 4 %.
Me kalimin e viteve fëmijët preferojnë të konsumojnë ushimet e gatshme dhe të thata, faktor që shton ndjeshëm peshën tek ata. Sipas mjekëve, mungesa e kujdesit të prindërve në ushqyerjen e fëmijëve rrit prekshmërinë nga infarkti apo diabeti në vitet e mëpasshme.
OBEZITETI, SËMUNDJA QË PO VRET
Bilanci i viktimave të obezitetit në botë paraqitet alarmues: 600 milion njerëz me hipertoni arteriale, 177 milion me diabet, 20 milion me kancer, dhe 20 milion me sëmundje ishemike të zemrës dhe të arterieve të trurit.
Nëpërmjet sëmundjeve të mësipërme vetëm në vitin 2005 obeziteti shkaktoi vdekjen e 35 milion njerëzve: 7 milion prej sëmundjes ishemike të zemrës, 5 milion aksidentet vaskulare të trurit, 7 milion nga hipertensioni, 7 milion kanceri, 4 milion të vdekur në vit i atribuohen diabetit. Sipas mjekëve, duke iu referuar këtyre shifrave me plot gojë themi që kjo është një luftë e re botërore.
(aq/shqiptarja.com)
