Kujdes! Këto gabime mund
t'ju çojnë në burg gjatë votimit

Kujdes! Këto gabime mund<br />t'ju çojnë në burg gjatë votimit
Qendrat e votimit do të hapen në orën 7 të mëngjesit dhe do të mbyllen në orën 19:00.

Askush nuk mund të votojë pas orës së mbylljes së qendrave të votimit, me përjashtim të zgjedhësve që presin për të votuar në kohën e mbylljes. Por cilat janë rregullat që duhet të ndjekë kushdo që do të ushtrojë nesër të drejtën kushtetuese të votës?

Votimi
Pas hyrjes në qendrën e votimit zgjedhësi thotë emrin dhe paraqet para KQV-së një nga dokumentet zyrtare të vlefshme të identitetit me të dhëna biometrike, si letërnjoftim apo pasaportë. Një prej anëtarëve, i caktuar me vendim të KQV-së, kontrollon zgjedhësit në të dy duart, në çastin e paraqitjes para KQV-së dhe para marrjes së fletës së votimit, nëse është timbruar ose jo me lëndën e posaçme.

Në rast se zgjedhësi është timbruar, anëtari i KQV-së ia bën të ditur menjëherë këtë fakt anëtarëve të tjerë të KQV-së, të cilët e verifikojnë menjëherë. Emri dhe mbiemri i këtij zgjedhësi shënohen në Librin e Protokollit të Mbledhjeve të KQV-së dhe atij nuk i jepet fletë votimi.

Kryetari, pasi verifikon se të dhënat e identitetit të zgjedhësit përputhen me të dhënat në listën e zgjedhësve dhe se zgjedhësi është i njëjtë me personin në dokumentin e identitetit, shënon në listën e zgjedhësve llojin dhe numrin e serisë të dokumentit të identitetit dhe i heq vizë emrit të zgjedhësit në këtë listë. Zgjedhësi nënshkruan në listën e zgjedhësve anash emrit të tij.

Fleta e votimit vuloset në pjesën e pasme të saj me vulën e KQV-së dhe vulën e kryetarit të KQV-së. Kur është vendosur përdorimi i SEN-it, sipas këtij Kodi, fleta vuloset vetëm me vulën e KQV-së. Zgjedhësi timbroset në dorën e majtë nga një anëtar i caktuar me vendim të KQV-së me një lëndë të posaçme, të dukshme me shikim të lirë dhe që nuk hiqet për jo më pak se 24 orë, me qëllim shmangien e votimit më shumë se një herë dhe më pas i jepet fleta e votimit.

Në rast se zgjedhësi nuk pranon të timbroset me lëndën e posaçme, atij nuk i jepet fleta e votimit dhe identiteti i tij mbahet shënim në Librin e Protokollit të Mbledhjeve të KQV-së. Pasi merr fletën e votimit, zgjedhësi hyn i vetëm në dhomën e fshehtë dhe në fletën votimit shënon në krah të emrit të subjektit zgjedhor apo partisë pjesëtare të një koalicioni shenjën “x” ose “+” apo një shenjë tjetër që tregon qartë zgjedhjen e bërë prej tij.

Zgjedhësi, pasi bën shënimin në fletën e votimit, palos fletën e votimit, në mënyrë që shenja të mos jetë e dukshme, por të paktën një nga vulat në pjesën e pasme të fletës të jetë e dukshme. Zgjedhësi, pasi del nga dhoma e fshehtë, e hedh fletën e votimit në kutinë përkatëse të votimit dhe largohet nga qendra e votimit.

Mos fotografoni votën
Kodi Penal u ashpërsua në fund të majit, duke e dënuar me burg fotografimin e votës. Neni 327 i këtij Kodi, që flet për shkeljen e fshehtësisë së votimit thotë: “Shkelja e rregullave që garantojnë fshehtësinë e votimit nga ana e zgjedhësit, nëpërmjet fotografimit të fletës së votimit, ose filmimit të saj, ose dokumentimit me çdo mjet dhe formë të mënyrës sesi ka votuar, shfaqjes së tyre tek persona të tjerë, përbën vepër penale dhe dënohet me burgim nga tre muaj deri në tre vjet. Shkelja e rregullave që garantojnë fshehtësinë e votimit nga ana e personave të ngarkuar me zgjedhjet, përbën vepër penale dhe dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në tre vjet. Nxitja me ose pa shpërblim, ose detyrimi i zgjedhësit për të shkelur rregullat që garantojnë fshehtësinë e votimit, sipas paragrafit të parë të këtij neni, përbën vepër penale dhe dënohet nga një vit deri në katër vjet me burgim”. 

Ndaj, duhet bërë kujdes, që as për kënaqësi personale të mos fotografohet vota. Edhe dhënia e kartave të identitetit dënohet. Neni 331/a i Kodit Penal thotë: “Marrja ose përdormi i paligjshëm i dokumenteve të identifikimit. Dhënia e dokumentit të identifikimit me qëllim përdorimin e tij në mënyrë të paligjshme për zgjedhje, garantimin e mospjesëmarrjes në votime, për të ndikuar në mënyrën e votimit, ose për çdo qëllim tjetër të paligjshëm që lidhet me zgjedhjet, përbën vepër penale dhe dënohet me burgim nga një vit deri në tre vjet. Marrja e dokumentit të identifikimit të shtetasve të tjerë, me qëllim përdorimin e tij në mënyrë të paligjshme për zgjedhje, moslejimin për të votuar, për të ndikuar në mënyrën e votimit, ose për çdo qëllim tjetër të paligjshëm që lidhet me zgjedhjet, përbën vepër penale dhe dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet”.

Policia: Janë shpërndarë pajisje për të fotografuar votën/ FOTO
Policia e Shtetit denoncon një formë të re të fotografimit të votës. Sipas policisë elementë të caktuar kanë shpërndarë aparate të cilat mund të fotografojnë votën që do të shërbejë si dëshmi për ata që e kanë shitur atë.

Në një njfotim të shpërndarë për mediat Policia e Shtetit paralajmëron që ndëshkimi do të jetë shumë i ashpër për të gjithë ata që do të shkelin ligjin. 

kamerat e fshehta

Shkodër, arrestohet doganieri i LSI-së për blerjen e votave
Policia ka vënë në pranga një 26­vjeçar me detyrë doganier në Vermosh, pasi iu gjet në makinë një listë votuesish dhe një sasi e konsiderueshme parash.

Sipas policisë, Izmir Bushaj do shpërndante paratë me qëllim blerjen e votave një ditë përpara zgjedhjeve parlamentare. 

Në prangat e policisë ra edhe kushëriri i tij, Xhyher Bushaj i cili po e shoqëronte në ato momente. Doganieri 26­vjeçar rezulton pwrfaqwsues i Lwvizjes Socialiste pwr Integrim, pasi në rrjetet sociale ka postuar vazhdimisht foto nga fushata elektorale e kësaj force politike. 

Sot heshtje zgjedhore, Shqipëria vendos nesër për katër vjet 
Partitë politike janë qysh prej orëve të para të mëngjesit të sotëm në heshtje zgjedhore, heshtje e cila do të mbarojë nesër, pasi të jenë mbyllur të gjitha qendrat e votimit.

Gjatë ditës së sotme partive nuk iu lejohet të bëjnë fushatë, teksa nesër, shqiptarët do të vendosin për legjislaturën e 9-të parlamentare. Kësaj here shqiptarëve ju duhet të zgjedhin një nga 18 partitë e regjistruara në fletën e votimit, ku çdo parti garon më vete dhe jashtë koalicioneve.

Në këto zgjedhje, për shkak të dinamikës politike dhe ngujimit të opozitës në çadër, nuk është regjistruar asnjë koalicion zgjedhor.

Në bashkinë e Kavajës do të ketë zgjedhje dyfishe, pasi këta qytetarë do të zgjedhin edhe kryetarin e ri të bashkisë, pas shkarkimit të Elvis Roshit për shkak të ligjit të dekriminalizimit.

“Dita përpara datës së zgjedhjeve dhe data e zgjedhjeve, deri në orën e mbylljes së votimit, formojnë periudhën e heshtjes zgjedhore. Në periudhën e heshtjes zgjedhore nuk lejohet asnjë lloj fushate zgjedhore nëpërmjet organeve të medias, si dhe zhvillimi i mitingjeve ose i veprimtarive të tjera zgjedhore të subjekteve zgjedhore” - thuhet në Kodin Zgjedhor.

Votojnë 3 452 308 shtetas
Qendrat e votimit do të hapen në orën 7 të mëngjesit dhe do të mbyllen në orën 19:00.

“1. Kur data e zgjedhjeve caktohet ndërmjet 31 marsit dhe 15 tetorit, qendrat e votimit hapen në orën 700 dhe mbyllen në orën 1900. 3. Askush nuk mund të votojë pas orës së mbylljes së qendrave të votimit, me përjashtim të zgjedhësve që presin për të votuar në kohën e mbylljes, sipas procedurave të parashikuara në këtë Kod”- thotë Kodi Zgjedhor.

Të drejtën e votës e kanë 3 452 308 shtetas. Ndër ta, 136 651 zgjedhës votojnë për herë të parë. 

51% e zgjedhësve janë meshkuj dhe 49% femra. Në listën e përditësuar është ulur numri i shtetasve pa adresë të përcaktuar, i dublikimeve, e po ashtu edhe i votuesve mbi 100 vjeçarë.

Nga lista e re janë hequr gjithashtu emrat e personave që vuajnë dënimin në burgje, sipas përcaktimeve të ligjit, në kuadër të ‘dekriminalizimit’.

Sipas të dhënave, rreth 2000 të burgosur nuk do të votojnë për shkak të këtij ligji. Më shumë se 900 të dënuar me të drejtë vote nuk kanë mundësi të votojnë nesër, për shkak se dokumentet e tyre si ID apo pasaportat janë të grumbulluara dhe sekuestruara nga prokuroritë dhe gjykatat e pa to ata nuk mund të ushtrojnë të drejtën e votës. Pas interesimit zyrtar pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, konfirmohet kjo shifër e lartë teksa do të votojnë rreth 4 mijë të dënuar.

Në listën përfundimtare për zgjedhjet e 25 Qershorit 2017 janë 1.489 persona që kanë mbushur moshën 100 vjeç, të bllokuar në listën e zgjedhësve me metoda informatike.

Nesër zgjedhjet, mediat e huaja: Sondazhet nxjerrin PS-në fituese
Rreth 3.4 milionë qytetarë shqiptarë me të drejtë vote do të zgjedhin nesër Kuvendin e ri. 

Këto zgjedhje parlamentare kanë tërhequr edhe vëmendjen e mediave ndërkombëtare. Agjencia franceze e lajmeve AFP shkruan se "Shqipëria voton në zgjedhjet parlamentare të së dielës, me shpresën se traditës së manipulimeve, dhunës dhe kontestimit të rezultatit do t’i jepet fund dhe vendi do të marrë shtysën e duhur drejt anëtarësimit europian".
 
Duke cituar sondazhet e kohëve të fundit, “AFP” shkruan se Partia Socialiste e kryeministrit Edi Rama gëzon një avantazh ndaj PD-së së Lulzim Bashës.
 
Agjencia prestigjioze e lajmeve vëren se, ndonëse Basha, admirues i presidentit amerikan Donald Trump, i drejton demokratët zyrtarisht prej 4 vitesh tashmë, paraardhësi i tij Sali Berisha mbetet figurë e fuqishme e së djathtës.
 
Si kreu demokrat, ashtu dhe ai socialist kanë shpjeguar për “AFP”-në këndvështrimin për kundërshtarin. Basha konsideron se Rama ka mbështetur një grusht njerëzish, që morën në duart e tyre ekonominë e vendit dhe një grup kriminelësh, të cilët rrëmbyen pushtetin dhe e kthyen Shqipërinë në “farmaci”, duke iu referuar tërthorazi kultivimit të kanabisit.
 
Rama shfaqet më konçiz në mendimin e tij. Për kreun e PS-së, udhëheqësi opozitar thjesht nuk është gati për sfidën e qeverisjes së vendit. Përtej përplasjeve, megjithatë, kjo fushatë konsiderohet e para, ku partitë e mëdha praktikisht i kanë ulur armët e luftës.
 
Për qeverinë e re që do të dalë nga zgjedhjet e 25 qershorit, sfidat mbeten të mëdha, duke nisur nga ekonomia e deri te drejtësia. Në raportin e fundit, Bashkimi Europian kritikonte në mënyrë të veçantë sistemin e ngadaltë dhe joefikas të Gjyqësorit, ku korrupsioni mbetet mbizotërues.
 
Për Ramën, reforma aktuale e këtij sistemi do të prodhojë rezultate pozitive, edhe pse sipas tij do të duhet gati një dekadë, që gjyqësori shqiptar të përmbushë standardet europiane.

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Këngëtarja italiane Giusy Ferreri koncert në Tiranë: E lumtur që rikthehem, të rinjtë të jenë autentikë

Këngëtarja italiane Giusy Ferreri koncert në Tiranë: E lumtur që rikthehem, të rinjtë të jenë autentikë