Sali Berisha iu shmang komentit për thirrjen që një ditë më parë ambasada e SHBA e drejtonte qartë jo vetëm Gazment Bardhit: të distancohet nga bashkëpunimi me non-gratat.
“Gjysma e mesazhit thotë që SHBA nuk ndërhyjnë në punët e brendshme të partive, është pikërisht kjo që unë përshëndes”- tha Berisha.
Edhe pse SHBA i bën thirrje të bëjë kujdes në lidhjet me non gratat, Berisha thotë se synimi final i bashkëpunimit me grupimin Bardhi, nuk është vetëm aksioni në parlament, por bashkimi i demokratëve.
‘Finalja duhet të jetë bashkimi i grupit të deputetëve të PD. Këtu përjashtohen vetëm dy vetë: Peng-Basha dhe Ali-Basha.’- tha Berisha.
Por qëndrimi i Bardhit për të bashkëpunuar me Berishën, duke mos e njohur kryetar të PD-së, kreun e Rithemelimit nuk do ta bëjë të tërhiqet nga ajo pjesë e demokratëve që drejton. Si zgjidhje për atë që e quan bashkim, shikon edhe fraksionin.
‘Nuk ka rëndësi qëndrimi ndaj kryetarit, pasi statuti parashikon edhe fraksionet. Se ka kode të tjerë për përcaktimin e kryetarit. Është vota dhe janë mekanizma të tjera.’- tha Berisha.
Në konferencën për gazetarët Sali Berisha akuzoi edhe një herë Ramën se po tenton të përcaktojë kryetarin e grupit parlamentar të PD dhe të mbaj peng komisionin për reformën zgjedhore përmes numrit 2 të PD-së së Bashës, Enkelejd Alibeajt.