Në qytetin e tij të lindjes është përkujtuar ditëlindja e kolosit të madh të letrave shqiptare Lasgush Poradeci.
Qytetarët e Pogradecit kanë ndjekur me interes shfaqjen e kompozuar me muzikë dhe interpretim, ku erdhi ëmbël lirika e Lasgushit.
Violinisti dhe drejtori i qëndrës kulturore që mban emrin Lasgush Poradeci tha se për aktivitetin kanë punuar gjatë gjithë vitit. Ndërsa për poetin Andi Kosta ky aktivitet solli emocione te shumta tek publiku.
Këngëtarja Alba Dajlani solli për publikun në formën e një kënge poezinë “Mora shoqëzën për krahu”, një ndër krijimet më të bukura të Lasgushit.
Në sallë u vu re mungesa e familjarëve të Lasgushit, vajzës Maria e cila 5 muaj më parë shprehu zemërim ndaj autoriteteve lokale, pasi sipas saj nuk e kanë vlerësuar sa duhet të atin.
“Këtu nuk ka asgjë që tregon për Lasgushin, busti i tij po bie. Në këtë qytet gjurmohen lekët. Bëjnë teatër të shëmtuar, shtëpia muze, nuk e çan njeri kokën”, tha ajo.
Poet, shkrimtar e përkthyes, Llazar Gusho, i njohur me emrin e artit Lasgush Poradeci, u lind me 27 dhjetor të vitit 1899 në Pogradec dhe ndërroi jetë më 12 nëntor 1987 në Tiranë. “Vallja e yjeve” dhe “Ylli i zemrës” janë vëllimet me të njohura te tij.