KUKES- Partia Demokratike vijon turin elektoral në qytetin e Kukësit, ku janë prezantuar kandidatët për deputet për zgjedhjet e 23 qershorit. Kreu i qeverisë i bëri thirrje të gjtihë qytetarëve pa dallim bindjesh politike, demokratë, socialistë dhe atyre të lëkundur që të bashkohen së bashku për të vijuar rrugën e integrimit dhe mirëqenies dhe të lënë pas modelin e Edi Ramës, të cilit iu drejtua si "kalorës i betejave të humbura".

"Le të bashkohemi drejt fitores, demokratë, socialistë dhe qytetarë të çdo bindje se në pak vite çamë malet, çamë Kalimashin, ndërtuam Rrugën e Kombit. Rrugën që bashkoi shqiptarët, rrugën që i dha Kukësit gjallërinë më të jashtëzakonshme. Të bashkohemi, pasi në pak vite në këtë qark ndërtuam qindra kilometra rrugë të reja. Le të bashkohemi demokratë, socialistë dhe të paparti, për të hapur qindra vende të reje pune, për të bërë të vërtetë integrimin tonë në BE. Socialistë dhe të paparti të rrethit dhe qarkut të Kukësit dhe mbarë Shqipërisë, cila është alternativa tjetër. Alternativa tjetër është alternativa për të mbjellë zi, pesimizëm dhe poshtërim kudo. Ju gra dhe burra të Kukësit për atë alternativë nuk jeni të lirë, të lirë ishit vetëm në republikën e etërve të shokut të autobusit. Për alternativën tjetër rrugët tuaja nuk janë reale, shtëpitë që keni ndërtuar ju janë kasolle pa vlerë, shkollat që ndjekin fëmijët tuaj janë piramida. Sipas kësaj alternative lëvizja e lirë nuk është e vërtetë, anëtarësimi në NATO është natë për ju. BE nuk ka vlerë se nuk është as bukë as ujë. Kjo është alternativa që mbjell vrer dhe ndjell dëshpërim në çdo vatër dhe zemër shqiptare. Le ta lëmë ne, kalorësin e humbjeve dhe disfatave, kalorësin e çdo humbje që është mbyllur në autobusin mavi", tha Berisha.

Duke u ndalur tek programi i Partisë Demokratike për 4 vitet e ardhshme, Berisha i ftoi qytetarët të krahasojnë dy alternativat që paraqiten para tyre dhe të votojnë modelin e kësaj force politike.
 
“Socialistë të Kukësit, demokratë dhe të paparti më 23 qershor përballen dy modele. Modeli i njeriut që beson tek familja, modeli i njeriut të vendosur për të derdhur djersën nga mëngjesi deri në darkë, për fëmijët e tij familjen e tij. Dhe ky është modeli juaj. Ndërsa modeli i Edi Ramës, është modeli i njeriut që martohet në çdo prag zgjedhjesh për të shtuar votat, dhe pastaj përsëri përgatitët për aventurën e radhës. Jo zotëri, shqiptarët nuk janë aventurierë, janë pro vlerave të familjes. Me ty nuk i bashkon asgjë”, u shpreh Berisha.

Kreu i PD, Sali Berisha garantoi banorët e këtij qarku, se “çdo votë e tyre është krenari për PD, dhe mundësi për të vazhduar projektet për Kukësin e zhvilluar, dhe Shqipërinë e zhvilluar”.
 
Berisha përmendi investimet e bëra gjatë 8 viteve në këtë zonë dhe në gjithë vendin.
 
Më tej kreu i PD u ndal tek akuzat për blerjen e votave, duke u shprehur se janë opozitarët ata që po përpiqen të blejnë qytetarët e lirë.
 
“Përçmojeni të dërguarin e tij, se s’na shet e blen kush, s’jemi shitur e blerë, jemi sot të lirë, ecim drejt lirisë dhe fitores”, tha Berisha.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)