Ka akuza për shtesa fiktive të popullsisë në Topojan. Një koment?
Normalisht ligji për Gjendjen Civile dhe mua si kryetar komune nuk më lejon të kem akses, ndaj mund të flas në përgjithësi dhe mbi atë çfarë mund të shihet. Mund të them se normalisht ka pasur lëvizje të popullatës nga Topojani drejt zonave më të ulta. Sipas informacionit që kam, komuna që unë drejtoj në vitin 2008 kishte afër 3 mijë banorë, duke plotësuar kushtin për të qënë degë më vetë e gjendjes civile, pa u bashkuar. Unë them se gjatë këtyre viteve s'ka pasur lëvizje të forta të popullsisë drejt zonave të tjera, pasi ka ndikuar shumë ndërtimi i rrugës së Kombit.
Opozita e quan jo normal shtimin prej 166 banorësh...?
Mund të them se përpos rrugës së Kombit ka kaluar gjysmën e ndërtimit dhe rruga Kukës-Topojan-Shishtavec, që pritet të përfundojë së shpejti. Kjo sjell jo vetëm bllokimin e largimeve por dhe sjell kthimin e banorëve. Pastaj 166 banorë të shtuar në 3 vjet të mos i duket dikujt hata e madhe. Ajo që shoh unë është se ka tendencë të banorëve për t'u kthyer, shoh që po rregullohen çatitë e shtëpive të braktisura, duke shfrytëzuar dhe rrugët dytësore, si ajo e Xhaferrajt me qendrën e komunës apo fshatit Nimçë, financim i agjencisë së zhvillimit të zonave malore dhe komunës. Unë them se në krahasim me vitin 2008 ka më pak banorë, më pak se 3 mijë në komunën Topojan, por këto 3 vite ka shtesa.
Do thotë që priten dhe kthime të tjera...?
Theksoj se shifrat reale janë te Gjendja civile dhe ka afërsi banorësh me atë të 2008-tës. Shoh një tendencë për t'u kthyer, duke parë dhe zonën, e cila është e përshtatshme për turizëm, por ka dhe interesim nga të huajt për rezidenca. Këto sjellin kthimet për të qënë në korent dhe për të zhvilluar zonën. Aq më tepër që dhe shërbimi shëndetësor dhe arsimor është përmirësuar. Njëherësh ligji për sigurimet shoqërore vullnetare në fshatra është shumë favorizues. Dhe kjo i josh banorët e kësaj zone si familje bujqësore të kthehen dhe të përfitojnë nga sigurimi vullnetar. Pra rruga e Kombit, rrugët e komunës, arsimi, shëndetësia, interesimi për turizëm dhe sigurimet ndikojnë në rikthimet.
Shkrimi u publikua sot në gazetën Shqiptarja.com, (print) datë 5 dhjetor 2012
(ad.ti/shqiptarja.com)