Kukësi synon të thyejë tabunë ndaj
Partizanit, në Vlorë derb italianësh

Kukësi synon të thyejë tabunë ndaj<br />Partizanit, në Vlorë derb italianësh
Java e 22-të e kampionatit kombëtar të futbollit sjell sfida interesante, ku nuk mungojnë përballjet për kreun e renditjes, por edhe për zonën e ftohtë të renditjes. Dy ndeshjet kryesore zhvillohen në verilindje mes Kukësit dhe Partizanit dhe në jug derbi i italianëve, ku Flamurtari pret Vllazninë. Sfida për kreun e renditjes mes të kuqve dhe nënkampionëve zë pjesën më të madhe të interesit, pasi Kukësi në 5 ndeshjet e fundit nuk ka fituar asnjëherë ndaj Partizanit, teksa ka barazuar 1 dhe humbur 4 herë.

Ndërsa Pero Pejic nuk i ka shënuar ende ekipit të Shpëtim Duros, që ka mbrojtjen e dytë më të mirë në Europë. Në ‘Zeqir Ymeri’ me një stadium që pritet të jetë i tejmbushur këtë herë mund të thyhet tabuja, pasi hyrja do të jetë falas për të motivuar maksimalisht ekipin. Aktualisht Kukësi dhe Tirana kryesojnë, ndërsa Partizani është 3 pikë më pas. Në Vlorë nuk do të jetë vetëm një sfidë mes Flamurtarit dhe Vllaznisë, por edhe Raineri-Ramella dhe rikthimi i Gilman Likës duke e bërë më të bukur ndeshjen ku dy taktikcienët italianë do të japin maksimumin për të marrë pikët e plota.

Teuta në Durrës ndeshet me Laçin në luftë për mesin e artë të renditjes që mbahet prej vitesh nga bardhezinjtë. Skënderbeu në letër ka një ndeshje të lehtë ndaj Apolonisë, por Josa kërkon kujdes, pasi në ndeshjen e parë fierakët i morën barazimin. Edhe pse është në vendin e fundit në renditje, Apolonia ka dhuruar një futboll të bukur javët e fundit, ndërsa Skënderbeu pas barazimit me Partizanit synon fitoren. Ndeshja e fundit zhvillohet në Fushë Krujë mes Tiranës dhe Elbasanit. Në dy ndeshjet e para Tirana ka fituar më shumë vështirësi në fund, ndërsa ketë herë pritet të jetë edhe më e vështirë, pasi Elbasani vjen pas fitores me Teutën. Magani si njohës i mirë i verdhebluve kërkon përqendrim total duke e vlerësuar me nota pozitive kundërshtarin.

“Nuk ka ekipe të lehta. Ndaj nuk mund të vecoj as Elbasanin, aq më tepër që na ka bërë të vuajmë në dy fazat e para, kur ne kemi fituar vetëm në minutat e fundit. Mungesa e tifozëve do të ndikojë. Prania e tyre është adrenalinë me vete. Por duhet pranuar se jemi përshtatur edhe me stadium bosh, pasi përgjithësisht kemi dalë fitimtar. Cdo skuadër bën llogaritë e veta dhe llogaritë tona nisin me Elbasanin.

Nuk mendoj për asnjë kundërshtar tjetër momentalisht. Shpresoj që të mbyllim me sukses këtë duel dhe gjithashtu shpresoj që edhe fati të jetë me ne. Në përballjet me skuadrat e nivelit të dytë ka gjithmonë probleme, edhe për ekipet e mëdha nëpër botë. Nuk pres dhurata nga asnjë skuadër, pasi ne duhet të bëjmë vetë atë që është puna jonë. E theksoj që nëse në marrim maksimumin në cdo ndeshje, duke vlerësuar vecmas cdo kundërshtar, nuk kemi pse të presim ecurinë e rivalëve. Ne duhet që të fokusohemi shumë të puna jonë”, ka deklaruar Gugash Magani.


d.balla/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Krijohet dhe 'Djathtas', a do i mbështesni partitë e reja në 2025?



×

Lajmi i fundit

SHBA/ Tjetër atentat i dështuar ndaj Donald Trump? Policia kap një person të armatosur 1 km larg vendit të mitingut të ish-presidentit, në Kaliforni

SHBA/ Tjetër atentat i dështuar ndaj Donald Trump? Policia kap një person të armatosur 1 km larg vendit të mitingut të ish-presidentit, në Kaliforni