“Zoti Daul nuk i ka thënë ato deklarata. Një mik që ishte i pranishëm në takimin e Marsejës me tha se Daul nuk e ka thënë një gjë të tillë. E vërteta do të dalë së shpejti dhe korrigjimi ose çfarë është e nevojshme do te gjendet.”- deklaroi Kukan gjatë konferencës për shtyp pas takimit të katërt të Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asocimit, (SAPC) që zhvillua sot paradite në ambientet e hotel Rogner në Tiranë.
Zyra e shtypit e Këshillit të Ministrave, njoftoi dje në mbrëmje se gjatë fjalës në Kongresin e PPE-ve në Marsejë të Francës, Daul e ka cilësuar indirekt kreun e Partisë Socialiste, Edi Rama ndoshta “pak të sëmurë mendor”. “Miku im Berisha, të falenderoj për gjithë punën që ke bërë për të ndaluar gjakderdhjen. Ti ke të drejtë dhe unë e di që ne kemi kaluar së bashku disa net pa gjumë, së bashku me kandidatin socialist, që ndoshta është pak i sëmurë. Bashkë me Martin Shulc, ne kemi arritur bashkë me ty dhe në sajin tënd, të ruajmë shumë jetë njerëzore dhe të respektohen të drejtat e njeriut. Meqenëse ti ke dhënë këtë kontribut për vendit tënd, ti e meriton këtë duartrokitje, zoti Berisha”, është shprehur Daul, sipas njoftimit të zyrës së shtypit të kryeministrisë.