Eurodeputeti dhe Raportuesi për Shqipërinë Eduard Kukan ka vlerësuar progresin e Shqipërisë në fushën e reformave ndërsa është shprehur se Greqia nuk duhet të pengojë intergimin vendit në BE.
 
I pyetur se a mund të ndikojnë tensionet e fundit me Greqinë, në një intervistë për "Koha Jonë" Kukan tha se: “Çështjet bilaterale, si me Greqinë, nuk duhet të shkelin progresin e bërë në procesin e reformave të lidhura me integrimin në BE. Unë mendoj se do të ishte e padrejtë për vendin”.
 
Eurodeputeti është shprehur se Shqipëria ka bërë progres në pesë prioritetet kyçe, por sipas tij ka ende punë për të bërë sidomos kur flasim për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
 
Kukan edhe njëherë tjetër ka sjellë në fokus faktin se klasa politike në Shqipëri duhet të punojë së bashku dhe të gjejë konsensus për reformat që kanë të bëjnë me procesin e anëtarësimit në BE.
 
Sa i përket trajtimit që qeveria shqiptare po i bën çështjes çame, Kukan është shprehur: "Vlerësoj hapjen e qeverisë shqiptare për t’u marrë me këto çështje të ndjeshme dhe shpresoj që si Shqipëria dhe Greqia të tregojnë vullnetin e mirë dhe frymën Europiane në mënyrë që të dalin me një zgjidhje. Unë do ta përsëris atë që kam thënë në shumë raste, çështjet dypalëshe nuk duhet të pengojnë procesin e Integrimit Europian."

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com