Kukan ikën pa firmat e PD-PS
Ndërmjetësimi vijon nga Brukseli

Kukan ikën pa firmat e PD-PS<br />Ndërmjetësimi vijon nga Brukseli
TIRANE - Negociatat e eurodeputetit Eduard Kukan për të rikthyer opozitën në jetën parlamentare, nuk janë finalizuar ende me një marrëveshje mes palëve, pavarësisht takimeve intensive që Kukan zhvilloi në Tiranë me liderët e politikës brenda 3 orëve.

Misioni i deputetit të Parlamentit Europain për të “pajtuar” të majtën dhe të djathtën nisi që herët në mëngjes me takimin e parë në orën 08:00 me kreun e Partisë Demokratike Lulzim Basha. Përreth 50 minuta, Kukan dëgjoi kërkesat e Bashës për rikthimin e demokratëve në Parlament çka do t’i jepte fund bojkotit 5-mujor të opozitës.
 
Pas këtij takimi, eurodeputeti u shpreh se shpreson që palët politike të reflektojnë deri në arritjen e një marrëveshjeje. Sipas tij dialogu politik është i rëndësishëm për rrugën që vendi ynë po ndjek drejt Bashkimit Evropian.

Pas takimit tetë a tetë me Bashën, eurodeputeti mbërriti në kryeministri rreth orës 09:00 ku takoi kreun e qeverisë Edi Rama përreth 40 minuta. Kukan i ka prezantuar kryeministrit Rama gjatë takimit dy dokumentat mbi të cilat bazoheshin edhe pretendimet e opozitës, njëri në formën e një rezolute ndërsa tjetri në formën e një marrëveshjeje që kërkonte edhe firmën e kreut të qeverisë. Mësohet se kreu i qeverisë, duke ju referuar kërkesave konkrete të opozitës i ka shprehur eurodeputetit Kukan se mazhoranca ka plotësuar të gjithë kërkesat, ndërkohë që sa i takon dekriminalizimit të parlamentit theksoi se është në pritje të një iniciative konkrete nga opozita.

Në përfundim të takimit, Kukan nuk mbajti prononcim për mediat ndërsa iu drejtua selisë se Kryesisë së Kuvendit ku takoi kryeparlamentarin Meta, përreth 40 minuta. Edhe largimi nga Kuvendi ka qenë pa një prononcim për media të të deleguarit të PE-së, ndërsa i vetmi nga liderët politikë që ka zgjedhur të komentojë takimin dhe të japë detaje për publikun, ishte kryeparlamentari Meta. Kreu i LSI-së Meta siguroi se mazhoranca mirëpret opozitën në Kuvend, ndërsa shpreson që bojkoti i demokratëve të marrë fund para Krishtlindjeve. 

Në orën 12:00 Kukan është rikthyer për herë të dytë në PD, pas takimit me shefin e qeverisë Rama dhe kryeparlamentarin Meta. Ai qëndroi përmbi 1 orë në selinë blu, por në përfundim të takimit të dytë me Bashën nuk dha asnjë deklaratë për mediat. . Basha i ka kërkuar eurodeputetit Kukan që të dalë garant që mazhoranca të mos e përdorë shumicën e cilësuar prej 84 votash, për ligje të caktuara nëse nuk do të konsultohet dhe marrë më parë aprovimin e opozitës. Pasi nuk arriti të bind në mënyrë të drejtëpërdrejtë palët, Kukan është nisur drejt Brukselit për të mos ndalur negociatat por për t’i kanalizuar dhe konkretizuar ato.

Takimet e deputetit të Parlamentit Europian me liderët e politikës shqiptare pritet të jenë vendimtarë për zgjidhjen e ngërçit politik, ku pritet të dalë një marrëveshje konkrete për rikthimin e opozitës në seancën e 24 dhjetorit në Parlament. 



Marrëveshja, Basha: Ne jo pengesë, besojmë te BE
Kreu i Partisë Demokratike, në përfundim të mbledhjes së grupit ka deklaruar se nga ana e partisë së tij nuk do të ketë pengesa për marrëveshjen për të cilën përfaqësuesit e Bashkimit Evropian janë duke negociuar.

“Nuk do ketë asnjë pengesë për përmbylljen e kësaj marrëveshje. Duke qenë në proces negociatash shpreh besimin se përpjekje e tyre do jetë pozitive. Ka mobilizuar si rrallë ndonjëherë të m ajtën e të djathtën evropiane”- tha Basha.

Gjatë deklaratës së tij, kreu i PD, u shpreh se BE dhe PE janë angazhuar për të ndihmuar në kalimin e  situatës të krizës Parlamentare  që erdhi si pasojë e goditja e kërcënimi i opozitës, por edhe mosrespektimi i kushtetutës.

Vendimin për pranimin e marrëveshjes, Basha e shpreh si një zotim për shqiptaret të cilët meritojnë një Parlament funksional

“Morëm këtë zotim për shqiptaret të cilët meritojnë në Parlament funksional. Për këtë kërkohet që të ndërkrehen dhuna dhe metodat që sollën largimin dhe që të mos ndodhin më. “- tha Basha.
 
Më tej ai duke falenderuar përfaqësuesit evropianë për kohën që i dedikojnë Shqipërisë theksoi se qëndrimin e tyre nuk e kthyen në një pazar.

“Kemi vullneti pozitiv, nuk e kemi kthyer në një Pazar kuajsh. I lumtur që kemi një ndërgjegjësim edhe të institucioneve ndërkombëtare që kanë gjetur kohë për t’i dedikuar Shqipërisë vëmendjen ndërkombëtare.”- tha Basha. Fjala e plotë e Bashës për marrëveshjen

Rama në mbledhje grupi, informon deputetët për negociatat
Gjatë mbledhjes me dyer të mbyllura të grupit parlamentar të PS në orët e mbrëmjes të ditës së sotme,  kryeministri Edi Rama informoi edhe deputetët socialistë për atë se çfarë ai dhe aleati i LSI, Ilir Meta kanë komunikuar me dy eurodeputetët, Eduard Kukan dhe Knut Fleckenstein.
 
Pas përfundimit të mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Rama nuk ka dhënë detaje rreth kësaj teme që ka diskutuar me deputetët.

Ndërkohë që në të njëjtën mbledhje PS ka vendosur edhe mbështetjen për 3 kandidaturat për anëtarë të Këshillit Mbikëqyrës të BSH, mes të cilëve është edhe emri i propozuar për Guvernator nga Presidenti Nishani, Gent Sejko. Dy emrat e tjerë që do të mbështesë Partia Socialiste janë Natasha Ahmetaj dhe Tonin Kola, duke lënë jashtë kështu kandidaturën e ish deputetit socialist Arben Malaj.

Thyerja e bojkotit, Berisha: Jemi afër zgjidhjes, por nuk kam besim
Ish-kreu i PD Sali Berisha thotë se zgjidhja e ngërçit politik mazhorancë-opozitë është afër zgjidhjes, por shton se nuk ka besim tek kryeministri Edi Rama për arritjen e një marrëveshje. Pas përfundimit të mbledhjes së Grupit Parlamentar të PD, Sali Berisha në një deklaratë për mediat tha se bojkoti është afër thyerjes, por theksoi se këtë vendim do ta marrë Këshilli Kombëtar i PD-së. Ndërsa vlerësoi punën e eurodeputetëve, Berisha tha se janë bërë përpjekje serioze në këtë drejtim.
 
“Është bërë një punë shumë e rëndësishme siç na informoi eurodeputeti. Unë që e njoh mirë atë ju garantoj që është me thinoksi, një lloj procesi në mëndje, ka një koncept rudimentar dhe armiqësor ndaj opozitës. E konsideroj bojkotin një lloj fatkeqësie të imponuar. Mes demokracisë dhe bojkotit, unë zgjedh demokracinë. Por mos t’i paragjykojmë gjerat, unë shpreha konsideratën time. Dy të dërguarit e PE kanë bërë një punë shumë serioz për t’i dhënë zgjidhje pa asnjë tendencë. Po të ekzistojë vullneti edhe bojkoti përfundon. Gjërat janë shumë afër. Unë pranoj çdo vendim që do marrë këshilli Kombëtar i PD, çështjet janë të afruara shumë. Por a do t’u fusë Rama shkelmin, unë them se po”, tha Berisha.



Vizita e Kukan mbledh grupet e PD dhe PS
Në përfundim të takimeve me Kukan, Partia Demokratike dhe Partia Socialiste kanë njoftuar mbledhjen e grupeve respektive parlamentare. PD mblodhi grupin në selinë blu në në orën 14:30, ndërsa grupi socialist u mblodh në selinë e PS në orën 18:00.

Kukan takon per 50 minuta Bashen: Dialogu i nevojshëm për BE-në, po diskutojme për marrëveshjen
Pas takimit përreth 50 minuta me Lulzim Bashën në selinë blu, eurodepeti Kukan u shpreh për mediat se ardhja e tij në Tiranë ishte me misionin për të vijuar bisedimet e nisura tre ditë më parë nga kolegu i tij, eurodeputeti Fleckenstein, për “të pajtuar” opozitën me mazhorancën. Kukan tha se dialogu politik është i rëndësishëm për rrugën e vendit tonë drejt BE-së. Ashtu si Fleckenstein, edhe Kukan shprehet optimist se këtij ngërci politik do t’i jepet fund.

“Unë erdha për të vazhduar bisedimet që u nisën nga Fleckenstein, kolegu nga Parlamenti Evropian dhe pata takime me liderët politikë me qëllimin për të arritur një dialog politik në Shqipëri, gjë që është shumë e rëndësishme për vendin në vazhdimin e procedurave për rrugën drejt Evropës në mënyrë të suksesshme. Kjo është ajo çfarë po bëj tani, jam në një kontakt të vazhdueshëm me Fleckentesin pasi duam të veprojmë dorë më dorë me shpresën për të pasur një rezultat, e për t’i dhënë fund këtij ngërçi”, tha Kukan. 

Video/ Eurodeputeti Kukan, deklarate per mediat pas takimit me Bashen


lulzim basha kukan
(Në foto: Eurodeputeti Eduard Kukan dhe Kryetari i PD Lulzim Basha)

Prononcimi i plote i Metes pas takimit me Kukan

Meta: Shpresoj që opozita të rikthehet në Kuvend para Krishtlindjeve, i plotesuam kerkesat
Pas takimit me Kukan përreth 40 minuta në kryesinë e Kuvendit, Meta ka përsëritur edhe një herë qëndrimin e mazhorancës, se mirëpret rikthimin e opozitës në jetën parlamentare. Ai tha se shpreson që bojkoti i demokratëve të marrë fund para Krishtlindjeve, pikërisht me 24 Dhjetor kur shënohet dhe seanca e fundit e këtij sesioni parlamentar.
 
ilir meta
ilir meta

“Besoj se janë plotësuar të gjitha kërkesat kryesore të opozitës dhe çdo kërkesë e cila synon një funksionim më demokratik, më transparent të Kuvendit ka qenë dhe mbetet gjithmonë e mirëpritur dhe në jemi të vendosur për transparencë dhe gjithëpërfshirje. Opozita është shumë e mirëpritur në çdo moment për të përmbushur rolin saj dhe funksionet e saj në parlament dhe unë do shpresoja shumë që kjo gjë të ndodhte para krishtlindjeve”, u shpreh kryetari i Kuvendit Ilir Meta.
 



kukan
(Në foto: Eurodeputeti Eduard Kukan duke dalë nga Kryeministria)

I pyetur nga gazetarët se a digjet mandati i deputetëve demokratë nëse nuk rikthehen në Kuvend më 24 Dhjetor, Meta tha: Është momenti të flasim për përfshirje dhe jo për djegie të mandateve, të ndajmë politikën tonë njëherë e mirë politikën tonë nga fryma e bojkotit dhe konflikteve,që nuk është një frymë e re dhe e shfaqur së fundi. Duhet të krijojmë traditë të qëndrueshme të në demokracisë funksional dhe të një dialogu që ndihmon për realizimin e reformave që kërkon vendi. 

Video/ Eurodeputeti Kukan ne Kuvend, takimi me Meten


Si mund të vijë garancia ndërkombëtare? Duhet një pakt i firmosur në Parlament?

“Fakti që kemi një angazhimi i dy eurodeputetëve tregon se ka një vëmendjen ndërkombëtare për të mbështetur rivendosjen e dialogut politik dhe unë shpresoj që ky angazhim të jetë i suksesshëm sepse kjo është pozitive për politikën tonë.

Kjo nuk është cështje mbikëqyrjeje është cështje standardesh. Kemi bërë zgjedhje për tu integruar në BE dhe ky bashkëpunim më duket i natyrshëm dhe në fund të fundit e rëndësishme është që të ecet përpara drejt një dialogu të qëndrueshëm e afatgjatë që ndihmon Shqipërinë të përmbushë më shpejt standardet e saj në rrugën për reformat për në Bashkimin Evropian dhe dihet që dialogu politik është i rëndësishëm në këtë drejtim
”, -iu përgjigj Meta interesit të gazetarëve.

Video/ Eurodeputeti Kukan ne Kryeministri, takimi me Ramen
  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

‘Do bashkojnë votat për atentat kushtetues’, paralajmëron Basha: Rama dhe Berisha pakt për të mbyllur listat, e votojnë në seëancën plenare

‘Do bashkojnë votat për atentat kushtetues’, paralajmëron Basha: Rama dhe Berisha pakt për të mbyllur listat, e votojnë në seëancën plenare