Kukan nuk bind dot PD dhe PS
Ndërmjetësimi vijon nga Brukseli

Kukan nuk bind dot PD dhe PS<br />Ndërmjetësimi vijon nga Brukseli
TIRANE- Eurodeputeti dhe negociatori mes mazhorancës dhe opozitës nuk ja ka dalë të ulë bashkë palët dhe të nëshkruaj një marrëveshje mes tyre. Ndonëse tepër konkret dhe me një draft të detajuar me kërkesat, Kukan e ka pasur të pamundur t’i bind përfundimisht dy forcat më të mëdha politike në vend të nënshkruajnë një marrëveshje, që do të rikthente opozitën në Kuvend pas 5 muajsh bojkot.

Në mëngjesin e së hënës, ashtu siç ishte parashikuar Kukan ishte në selinë e PD-së për t’u takuar me kreun e kësaj partie, Lulzim Basha. Takimi që zgjati për rreth 50 minuta më shumë se sa me një marrëveshje e nxorri Kukan nga zyra e Bashës me dy alternative që i’a paraqiti për miratim kreut të qeverisë Edi Rama. Negociatori i thirrur me insistim nga kreu i opozitës Basha kishte marrë prej tij edhe kërkesat, të cilat do të kënaqnin opozitën, aq sa për ta sjellë në parlament.

Kukan i ka prezantuar kryeministrit Rama gjatë takimit dy dokumentat mbi të cilat bazoheshin edhe pretendimet e opozitës, njëri në formën e një rezolute ndërsa tjetri në formën e një marrëveshjeje që kërkonte edhe firmën e kreut të qeverisë. Mësohet se kreu i qeverisë, duke ju referuar kërkesave konkrete të opozitës i ka shprehur eurodeputetit Kukan se mazhoranca ka plotësuar të gjithë kërkesat, ndërkohë që sa i takon dekriminalizimit të parlamentit theksoi se është në pritje të një iniciative konkrete nga opozita.

Takimi i eurodeputetit Kukan me kreun e Kuvendit ishte më i qeti sa i takon negociatave, për shkak se Meta është zotuar se do të plotësohen kushtet e opozitës mjaft që ajo t’i rikthehet jetës parlamentare. Gjatë mesditës Kukan është rikthyer aty ku nisi serinë e negociatave, selinë e Partisë Demokratike.

Takimi që zgjati për më shumë se 1 orë e 30 minuta veç negociatave që synonin bindjen e kryetarit për t’i dhënë fund bojkotit ka prodhuar edhe një pikë të re që nuk ka qenë e formuluar në asnjë prononcim zyrtar nga eksponentët e opozitës. Basha i ka kërkuar eurodeputetit Kukan që të dalë garant që mazhoranca të mos e përdorë shumicën e cilësuar prej 84 votash, për ligje të caktuara nëse nuk do të konsultohet dhe marrë më parë aprovimin e opozitës. Pasi nuk arriti të bind në mënyrë të drejtëpërdrejtë palët, Kukan është nisur drejt Brukselit për të mos ndalur negociatat por për t’i kanalizuar dhe konkretizuar ato.

Afati kohor deri në seancën e fundit plenare është shuëm i limituar, ndaj më shumë sesa një dëshirë për opozitën, prania në Kuvend është kthyer në domosdoshmëri për shkak se afatet ligjore për skadimin e mandateve janë drejt fundit.

Çfarë ofroi Kukan dhe ku ngecën negociatat mes palëve
Prania e negociatorëve në vendin tonë, ishin menduar si çelësi me anë të së cilës do të zgjidhej ngërçi politik në vend. Palët më shumë se sa për një marrëveshje kanë rënë dakort të arrijnë në një marrëveshje në formën e rezolutës parlamentare. Dy negociatorët Kukan, i qendrës së djathtë europiane dhe Feckenstein i qendrës së majtë, u sugjeruan palëve të bien dakord mbi draftin e sugjeruar prej tyre që në thelb përmbante kërkesat e bëra publike nga PD.

Drafti me 4 pika që negociatari Kukan i ka paraqitur mazhorancës ditnë e djeshme, përmbante në fillim të tij një kërkesë të re të cilën opozita e paraqiste dje për herë të parë dhe që kishte të bënte me një lloj imponimi që kërkohej nga shumica për të mos i përdorur 85 votat për miratimin e ligjeve për të cilat nuk ishte dhënë më parë pëlqimi i opozitës.

Dekrimanalizimi i Kuvendit, një kërkesë e lançuar me forcë nga opozita do të hartohet me ndihmën e Bashkimit Europian dhe do të përfshijë çështjet e individëve me rekorde kriminale.Kryeministri ka kërkuar që projektligji që do të hartohet nga opozita, përpara miratimit të shkojë për shqyrtim në Komisionin e Venecias, për të shmangur nene që mund të konsiderohen abuzive dhe në shkelje të të drejtave të njeriut.

Gjatë diskutimeve kreu i qeverisë Rama ka kërkuar edhe një angazhim afatgjatë të opozitës në Kuvend, pikë e cila është kyçe në bisedimet mes palëve. Dy pikat e tjera për të cilat palët janë në negociata, kanë të bëjnë me një rishikim të kërkesave për komisionet hetimore parlamentare dhe me një mbështetje që opozita kërkon nga përfaqësuesit e grupeve më të mëdha parlamentare në PE.

Braçe: “S’do pranojmë që opozita të na diktojë për votat”
Deputeti socialist Erion Braçe ka komentuar një prej kërkesave të opozitës, që ka të bëj me kufizimin e mazhorancës për përdorimin e 84 votave. “Cili është kushti i ri? Mazhoranca të mos përdorë 84 vota në Kuvend pa pyetur Sali Berishën,” – pyet me ironi Braçe në Fb ndërsa shton: “ Berisha, Basha dhe gjithë rradha e tyre, duhet të kuptojnë se ky Kuvend është legjitim ndaj nuk ka kusht në botë që t’i thotë maxhorancës “mos përdor votat që ke, se s’dua unë, opozita!” Absurdi e ka një fund dhe ky është kufiri,” deklaron Braçe.


Meta: Shpresoj që opozita të rikthehet para Krishtlindjeve
Kreu i Kuvendit Ilir Meta shprehu dëshirën dhe besimin që opozita t’i  rikthehet jetës parlamentare, para festës së Krishtlindjeve. Meta përsëriti dje edhe një herë qëndrimin e mazhorancës, se mirëpret rikthimin e opozitës në jetën parlamentare. Meta kërkoi  që opozita ta përdorë afatin kohor të lënë nga mazhoranca për tu rikhtyer në parlament më 24 dhjetor.

“Besoj se janë plotësuar të gjitha kërkesat kryesore të opozitës dhe çdo kërkesë e cila synon një funksionim më demokratik, më transparent të Kuvendit ka qenë dhe mbetet gjithmonë e mirëpritur dhe në jemi të vendosur për transparencë dhe gjithëpërfshirje. Opozita është shumë e mirëpritur në çdo moment për të përmbushur rolin saj dhe funksionet e saj në parlament dhe unë do shpresoja shumë që kjo gjë të ndodhte para krishtlindjeve”, deklaroi Meta.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 23 Dhjetor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A justifikohen aktet e dhunes gjatë një proteste politike?



×

Lajmi i fundit

'Lëre detyrën e bëj si themi ne!' Polici bashkiak i Vlorës dhunohet se gjobiti furgonin e linjës! Zbardhet dëshmia, tregon dhunuesit (EMRAT)

'Lëre detyrën e bëj si themi ne!' Polici bashkiak i Vlorës dhunohet se gjobiti furgonin e linjës! Zbardhet dëshmia, tregon dhunuesit (EMRAT)