TIRANË – Në orën 11:00, në selinë e PS-së ka shkuar kryetari i Delegacionit të Parlamentit Europian për Marrëdhëniet me Shqipërinë, Eduard Kukan. Ai zhvilloi takim me  Drejtorin e marrëdhënieve me jashtë në PS, Roland Bimo.

Pas takimit në selinë PS-së, i cili zgjati për më shumë se një orë eurodeputeti Eduard Kukan deklaroi se dhuna është e papranueshme në proces zgjedhor. Ai bëri thirrje për hetim të dhunës. 

“Shqipëria duhet të plotësojë standardet në këto zgjedhje. Kemi ardhur për të treguar mbështetjen tonë në këto zgjedhje. Dhuna është e papranueshme në proces zgjedhor. Nuk duhet të nxitoheni dhe të politizoni raste të tilla, por të lini që ato të të imvestigohen. Shpresoj që rasti do hetohet që të mos cenojë procesin në tërësi të këtyre zgjedhjeve.”- tha Kukan duke shtuar  “Shpresoj të mos e humbisni mundësinë tuaj të madhe të votimit dhe hapat e mëtejshëm të bëhen me mature dhe të pranueshëm.

Kukan shkoi në selinë PS, ndërsa Rama udhëtoi me Metën drejt Laçit ku sot në mëngjes u vra një simpatizant i LSI-së dhe u plagosën 3 persona, mes tyre kandidati i PD-së, Mhill Fufa. 
 
KUKAN PARADITE TAKOI DHE BERISHEN 
Kryeministri Berisha i ka konfirmuar sot komisionit “Ad Hoc” të Parlamentit Evropian, i cili ndodhet në Shqipëri me rastin e zgjedhjeve parlamentare, të kryesuar nga zoti Eduard Kukan angazhimin e plotë të qeverisë shqiptare që këto zgjedhje të jenë zgjedhjet më të mira të zhvilluara ndonjëherë në Shqipëri në përputhje me standardet ndërkombëtare.
“Ndihem shumë i lumtur, - u shpreh Kryeministri Berisha – për numrin e madh të delegacioneve dhe vëzhguesve ndërkombëtarë që ndodhen sot në Shqipëri, të cilët do të kenë mundësi drejtpërsëdrejti të vëzhgojnë mbarëvajtjen e këtij procesi, i cili padyshim do të jetë procesi zgjedhor më i miri i zhvilluar në Shqipëri gjatë këtyre 22 viteve.
Votat e qytetarëve shqiptarë do të numërohen bazuar në sistemin më të mirë, më transparent dhe më të sigurt të numërimit që mund të ekzistojë çka përbën një garanci të plotë që rezultati do të reflektojë besnikërisht vullnetin e qytetarëve shqiptarë,”- garantoi kreu i Qeverisë.
Nga ana e tyre, parlamentarët evropianë i shprehën Kryeministrit Berisha mbështetjen e PE-së ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve dhe ndaj të ardhmes europiane të vendit tonë.”

Redaksia online
(sg/ar.sh/shqiptarja.com)