KUKES - Qyteti i Kukësit dhe gjysma e Hasit u gjendën pa energji elektrike, pasi banorët hynë në nënstacionin elektrik, e për pasojë CEZ ndërpreu energjinë.

Sipas korrespondentit në vendngjarje, Bekim Lekica, banorët e komunës Shtiqen hynë në nënstacionin elektrik në Kukës, në shenjë proteste për rikthimin e energjisë. Për të shmangur rrezikun e personave që hynë në nënstacion, CEZ ndërpreu energjinë elektrike në të gjithë nënstacionin, duke lënë kështu pa energji gjithë qytetin e Kukësit e një pjesë të Hasit.

Për këtë situatë ka reaguar edhe vetë CEZ Shpërndarje, e cila thotë se banorët të cilëve u është ndërprerë energjia për shkak të mospagesave, kanë hyrë me forcë në nënstacion. CEZ sqaron gjithashtu se ndërpreu energjinë në këtë nënstacion për arsye sigurie.

(Gre.M./Shqiptarja.com)