Reshjet e borës kanë nisur edhe në qytetin e Kukësit, kryesisht në zonën e Kalimashit, pranë tunelit, si dhe në disa segmente të Rrugës së Kombit, si pasojë e uljes së temperaturave.

Për shkak të reshjeve të borës dhe lagështisë së krijuar nga shiu i orëve të mëparshme, kompania e mirëmbajtjes së rrugës ka nisur menjëherë punën për pastrimin e borës me mjete borëpastruese.

Deri më tani nuk raportohen pengesa në qarkullim dhe lëvizja e automjeteve vijon normalisht. Megjithatë, drejtuesit e mjeteve këshillohen të përdorin goma dimërore dhe të mbajnë me vete zinxhirë, për të shmangur problematikat gjatë udhëtimit.

Reshje bore ka edhe në zonat e larta malore, mbi 700 metra mbi nivelin e detit. Deri më tani nuk raportohen problematika të mëdha, ndërsa në disa segmente të rrugëve nacionale dhe bashkiake ka pasur rënie gurësh, fenomen që shfaqet shpesh gjatë reshjeve të shiut. Në qytetin e Kukësit vijojnë reshjet e shiut me intensitet mesatar, të shoqëruara me erëra të forta.

Ndërkohë, sa i përket furnizimit me energji elektrike, raportohet për ndërprerje të energjisë në zonën e Surrojit.


Lajmi kryesor:

Dibra dhe Kukësi të mbuluara nga dëbora, ngricat vështirësojnë qarkullimin e automjeteve! Borëpastruesja në terren, disa fshatra pa energji elektrike (VIDEO)