Supersfida e javës së 26 të Superligës mes Partizanit dhe Kukësit vijon të prodhojë ende shumë polemika edhe në post ndeshje. Pikënisja e gjithçkaje kanë qenë deklarat e presidentit të klubit të Kukësit Safet Gjici si dhe çmimi për biletat që klubi verilindor kishte vendosur për këtë sfidë.
Me anë të një deklarate për shtyp, Kukësi kërkon nga Komisioni i Disiplinës në FSHF të merren masa për futbollistin e Partizanit Jasir Asani dhe tifozët e kuq. Fillimisht për lojtarin janë ngritur akuza se është sjellë në mënyrë të pakultuar ndaj presidentit të Kukësit gjatë festimit të golit. Asani iu drejtuar tribunës ku qëndronte Safet Gjici dhe bëri me shenjë që të heshte, pasi ky i fundit më herët në media kishte deklaruar se Partizanit nuk i mbajnë gjunjët.
Një tjetër pretendim i Kukësit është se tifozët e Partizanit gjatë gjithë kohës kanë fyer presidentin Gjici. Sipas tyre tifozët e kuq kanë ulërituar dhe kanë sharë në kor numrin 1 të klubit për çmimin e biletës që ishte 10 mijë lek të vjetra. Klubi verilindor shkon më tej duke pretenduar se është cënuar imazhi i Gjicit, pasi tifozët e Partizanit kanë hedhur në fushë kartmonedha të modifikuara me portretin e presidentit verilindor.
Në ditët në vijim pritet të shihet nëse Komisioni i Disiplinës do t’i marrë për bazë pretendimet e Kukësit, ndërsa përsa i takon ndeshjes ajo u mbyll me shifrat 1-1, duke lënë të pandryshuar diferencën e pikëve mes Partizanit kryesues dhe klubit verilindor.
Njoftimi i Kukësit