Kullat shekullore përbëjnë një pasuri të rëndësishme të trashëgimisë kulturore në Mirditë. Të ndërtuara me mure guri dhe me arkitekturë të veçantë, ato kanë një përhapje të gjerë në të gjithë territorin e kësaj bashkie, por një pjesë e tyre ndodhen në gjendje të amortizuar dhe kanë nevojë për restaurim.
Drejtoria e Trashëgimisë Kulturore dhe Turizmit në Bashkinë Mirditë po punon për identifikimin dhe dokumentimin e këtyre kullave, të cilat kanë nisur të ndërtohen masivisht në shekullin e 16-të dhe mbartin vlera të jashtëzakonshme historike.
“Të paktën që nga shekulli i 16-të kemi këto banesa të fortifikuara në zonën e Mirditës. Janë banesa me kat që janë përshtatur me terrenin. Ndër kullat shumë interesante për nga aspekti ndërtimor janë kulla e Kthellës dhe ato të fshatit Përlat. Nga tipologjia kullat e Mirditës janë të ngjashme me ato të Matit. Me bashkinë Mirditë kemi marrë një nismë për identifikimin dhe dokumentimin e tyre”, tha Julian Vlashi, drejtor i Trashëgimisë kulturore dhe turizmit në Mirditë.
Pjesë e projektit të GIZ dhe Ministrisë së Kulturës për rijetëzimin e kullave të vjetra është edhe Bashkia e Mirditës.
Poseduesit e tyre mund të aplikojnë për ta kthyer trashëgiminë historike të kullave në një burim zhvillimi ekonomik, turistik dhe identitar për komunitetin.
Të dhënat e mbledhura në këtë fazë të parë do të shërbejnë si bazë për hartimin e një programi të integruar për restaurimin dhe promovimin e banesave të vjetra si pasuri e trashëgimisë kulturore.
Komente









