Salvadore Aliu, ndaj të cilit është lëshuar një urdhërarrest nga SPAK, i konsideruar si kumbari i grupeve shqiptare të narkotrafikut, dyshohet të ketë pastruar në Shqipëri të paktën 30 milionë euro të siguruara nga aktivitetet kriminale. Figura kyçe, duket se ka qenë i vëllai, Isa Aliu, i cili ka zyrtarisht 4 kompani të ndryshme të përdorura për investime në blerje pasurish të paluajtshme, vila, apartamente, troje, apo dhe në ndërtime, edhe hotelesh në zona turistike të vendit.
Salvadore, ashtu si dhe drejtuesit e tjera të grupeve kriminale përdorte platformën SKY për komunikimet e tij, ku ai njihej me emra të ndryshëm si Dala, Qero, Qerosi, Viktor, apo Albo Pelon. Nga zbardhja e këtyre komunikimeve, në një bisedë në gusht të vitit 2020, me vëllain Isa Aliu, ky i fundit e njofton se kishte në gjendje 6 milion euro. Dy javë më pas, Salvadore njofton Isain se do të marrë edhe 20 milionë euro të tjera. Në pritje që paratë të investohen për t’u pastruar, ai e udhëzon vëllanë, se si t’i fshehë paratë, duke i sugjeruar, ndër të tjera dhe futjen e tyre në fuçi 50 litërshe e më pas groposjen.
Hetimi që çoi në zbulimin dhe identifikimin e Salvadore Aliut, ka nisur në maj të vitit 2020, pas një referimi nga policia. Ai, dhe persona me lidhje familjare dyshohet të jenë përfshirë në trafikun ndërkombëtar të kokainës nga Ekuadori, drejt vendeve europiane. Në rrjetin ku bënin pjesë dhe të huaj, Salvatore është identifikuar të ketë patur rolin e drejtuesit, duke mbikëqyrur çdo hallkë të trafikut që nga sigurimi i kokainës, te financimi I ngarkesave dhe furnizimi i grupeve të tjera.
Sipas burimeve të Report TV, nga SPAK, 50-vjeçari nga Elbasani mund të konsiderohet si “bosi i bosave” shqiptarë të trafikut të drogës, personi më i fuqishëm në trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike që është hetuar ndonjëherë nga prokuroria shqiptare, një personazh mbrapa të cilit ishin vënë shumë agjenci ligjzbatuese në Evropë, por që s’kanë mundur ta zbardhin rolin e tij.
Emra të tjerë të njohur, që nga Çopjat, te Eldi Dizdari apo Dritan Gjika, ishin nën varësinë e tij. Dosja hetimore e SPAK e lidh emrin e tij dhe me grupin e Jetmir Pepës.
Hetimet e SPAK kanë dokumentuar veprimtarinë e rrjetit për vitet 2019-2021, përgjatë së cilave dyshohet se ka arritur të fusë në Evropë 50 tonë kokainë, ndërsa janë provuar 5 episode të trafikimit të kokainës në sasi të mëdha, kur është bërë e mundur të sekuestrohen gati 9 tonë.
Me vendim të gjykatës së Posaçme është vendosur sekuestro preventive ndaj 491 pasuri gjithsej në pronësi direkte të anëtarëve të grupit, apo ku lidhja e tyre është e tërthortë. 266 janë pasuritë e paluajtshme që nisin nga toka, hotele, apartamente, automjete, vila, në disa qytete, Tiranë, Durrës, Elbasan, në veri në Lezhë dhe Shkodër e në jug Dhërmi e Sarandë. Në total, SPAK llogarit se pasuritë e sekuestruara arrijnë në të paktën 150 milionë euro.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë

Gazetari i Report Tv Sokol Dema ka siguruar foton e Isa Aliut, vëllai i Salvadore alias Shpëtim Aliu, i cili konsiderohet si “bosi i bosave” shqiptarë të trafikut të drogës, personi më i fuqishëm në trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike që është hetuar ndonjëherë nga prokuroria shqiptare, një personazh mbrapa të cilit ishin vënë shumë agjenci ligjzbatuese në Evropë, por që s’kanë mundur ta zbardhin rolin e tij.
Ai është mes të kërkuarve nga SPAK personazh që me 4 biznese të tij, në ndërtim dhe shërbime, ka luajtur rol kryesor në pastrimin e parave. Të tjerët për të cilët GJKKO ka vendosur arrest në burg në 15 qershor janë Shpëtim Bibaj, Nikoll Bibaj, Naldi Yzeiraj, Oklid Aliu alias El Ouejd. Të gjithë të regjistruar si biznesmenë në QKB.
Komente








